Balluku e PD-së: Ambasadori i BE-së “zëdhënës i korrupsionit”

Përshkrim: Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, theksoi parimin e “prezumimit të pafajësisë” në lidhje me hetimin ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku për manipulimin e tenderëve. Kjo qëndrim u kritikua nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili e konsideroi atë si një shmangie nga përgjegjësitë dhe një mbrojtje të korrupsionit. Bardhi argumentoi se barazia para ligjit dhe transparenca janë thelbësore për integrimin europian, duke sjellë si shembull dorëheqjen e ish-kryeministrit portugez António Costa.

“Zëdhënës i korrupsionit”/ Bardhi i kundërpërgjigjet Gonzatos për heshtjen ndaj Ballukut

Gjatë një interviste në Top Story, ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, theksoi parimin e “prezumimit të pafajësisë” kur komentoi marrjen e të pandehur të zv.kryeministres Belinda Balluku, për shkelje të barazisë në tendera. Ambasadori tha se Brukseli nuk komenton çështjet nën hetim, duke anashkaluar faktin që zv.kryeministrja nuk ka dhënë dorëheqjen.

“Ne kemi një politikë për të mos komentuar çështjet në hetim. Sepse një nga parimet që rregullon gjyqësorin është prezumimi i pafajësisë. Pra, nuk mund të fillosh të dënosh njerëzit përpara se të kenë ndodhur hetimet dhe procedurat gjyqësore. Por, në përgjithësi, mendoj se është e qartë se, siç e thotë raporti, parlamenti nuk ushtron mjaftueshëm kontroll mbi veprimet e ekzekutivit”, u shpreh Gonzato.

Ky qëndrim i ambasadorit Gonzato ka nxitur pakënaqësinë e opozitës. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, e konsideron shmangie të qëllimshme të realitetit faktin që Belinda Balluku është marrë e pandehur nga SPAK, ndërsa vazhdon të mbajë postin e zv.kryeministres.

“Parimi i ‘prezumimit të pafajësisë’ është vlerë europiane, po aq sa respektimi i parimit të ‘barazisë përpara ligjit’! Cilido që flet për prezumimin e pafajësisë, pa theksuar nevojën që ka Shqipëria për barazinë e të gjithëve para ligjit, bëhet thjesht zëdhënës i korrupsionit qeveritar”, shkruan Bardhi në një status në rrjetet sociale.

“Belinda Balluku nuk mund të përdorë pushtetin ekzekutiv për të intimiduar dëshmitarë, për të prishur prova, për të korruptuar. Ajo duhet të përballet me drejtësinë pa petkun e pushtetit… Mbajtja e saj në detyrën e Zëvendëskryeministres dhe ministres është mburojë politike nga drejtësia dhe një formë e qartë presioni politik ndaj prokurorisë”, shkruan Bardhi.

Bardhi kujton se SPAK e ka marrë të pandehur Ballukun sepse, sipas tij, ka provuar “përtej çdo dyshimi të arsyeshëm” se tenderi 190 milionë euro i tunelit të Llogarasë ishte i manipuluar dhe fituesi i paracaktuar, një shkelje që, sipas Bardhit, cenon edhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në.

Bardhi solli si shembull rastin e ish-kryeministrit portugez António Costa, i cili dha dorëheqjen “pa qenë as i pandehur”, vetëm sepse emri i tij u përmend në një hetim: “Nuk mund të lejoj që dyshimi i hedhur mbi mua të njollosë figurën e kryeministrit dhe dinjitetin e shtetit”, citoi Bardhi deklaratën e Costas, duke e quajtur këtë “diferencën midis moralit europian dhe korrupsionit qeveritar shqiptar”.

Sipas kreut të grupit demokrat, fakti që Belinda Balluku mban ende detyrën, pavarësisht marrjes së saj të pandehur, përbën një “mburojë politike” dhe një formë presioni ndaj prokurorisë.

Përgjigjja e plotë e Gazment Bardhit për qëndrimin e ambasadorit Gonzato:

“Parimi i ‘prezumimit të pafajësisë’ është vlerë europiane, po aq sa respektimi i parimit të ‘barazisë përpara ligjit’! Cilido që flet për prezumimin e pafajësisë, pa theksuar nevojën që ka Shqipëria për barazinë e të gjithëve para ligjit, bëhet thjesht zëdhënës i korrupsionit qeveritar.

Shqipëria në këto vite të tranzicionit nuk ka vuajtur nga mosrespektimi i parimit të prezumimit të pafajësisë, por nga cenimi permanent i parimit të barazisë përpara ligjit, ku disa kanë patur dhe vazhdojnë të kenë certifikatën e ‘personave të paprekshëm’. Lufta kundër pandëshkueshmërisë, dhe jo parimi i prezumimit të pafajësisë, ishte objektivi madhor i Reformës në Drejtësi në Shqipëri.

Për këdo që nuk dëshiron të identifikohet si zëdhënës i korrupsionit të Belinda Ballukut, mjafton t’i kujtojmë faktin e thjeshtë se ajo është hetuar nga SPAK, dhe ky i fundit e ka marrë të pandehur, sepse ka provuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se në procedurën e prokurimit të Tunelit të Llogarasë, me vlerë 190 milion euro, ishte paracaktuar fituesi dhe ishte shkelur barazia e pjesëmarrësve në tendera publik. Kjo përbën edhe një shkelje të hapur të MSA-së BE-Shqipëri.

Bizneset turke të paracaktuara pa garë po zëvendësojnë me shpejtësi investitorët serioz europian, duke shkelur në këtë mënyrë hapur MSA dhe detyrimet që ka Shqipëria në kuadër të procesit të integrimit europian.

Në Portugali, ish-kryeministri António Costa, u përfshi në hetim në nëntor 2023 për një çështje korrupsioni të qeverisë, por jo si i pandehur. Ai u përmend në hetim për çështje lidhur me lejet e projekteve të hidrogjenit dhe minierave të litiumit dhe Prokuroria regjistroi emrin e tij në hetim për ta verifikuar. Costa dha dorëheqje menjëherë, duke thënë: “Nuk mund të lejoj që dyshimi i hedhur mbi mua të njollosë figurën e kryeministrit dhe dinjitetin e shtetit.”. Kjo përbën një diferencë të madhe mes moralit europian dhe korrupsionit qeveritar shqiptar.

Më vonë hetimi ndaj tij u mbyll pa gjetje të drejtpërdrejta dhe sot, António Costa është President i Këshillit Evropian, një nga tre postet më të larta në BE.

Ndërkohë në Shqipëri, Edi Rama dhe cilido tjetër që mbron zv.kryeministren e pandehur për korrupsion dhe del si zëdhënësi i Belinda Ballukut, duhet të kujtohet se barazia para ligjit është themeli i një shoqërie europiane dhe demokratike.

Belinda Balluku nuk mund të përdorë pushtetin ekzekutiv për të intimiduar dëshmitarë, për të prishur prova, për të korruptuar. Ajo duhet të përballet me drejtësinë pa petkun e pushtetit si numri 2 i Qeverisë shqiptare dhe duke respektuar parimin e barazisë përpara ligjit. Mbajtja e saj në detyrën e Zëvendëskryeministres dhe ministres, është mburojë politike nga drejtësia dhe një formë e qartë presioni politik ndaj prokurorisë”

Scroll to Top