Mbledhja e qeverive Rama-Meloni, u finalizua me nënshkrimin e 16 marrëveshjeve dhe memorandumeve. Kryeministrja italiane: Ditë historike. Rama: Italia mund t’i kërkojë çfarë të dojë Shqipërisë
Shqipëria dhe Italia kanë forcuar më tej partneritetin në fusha të rëndësishme, duke shkëmbyer një sërë marrëveshjesh dhe memorandumesh mirëkuptimi, në kuadër të mbledhjes së parë ndërqeveritare mes dy vendeve, e cila u zhvillua në Romë. Marrëveshjet, të cilat u shkëmbyen nga ministrat përkatës të kabineteve qeveritare, mbulojnë një gamë të gjerë fushash strategjike.
Marrëveshjet e nënshkruara mes Italisë dhe Shqipërisë janë si më poshtë:
- Memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin mbi sigurinë kibernetike.
- Marrëveshje ndërqeveritare për koncesionin e një huaje ndihme për mbështetjen e krijimit të një sistemi të mbrojtjes civile shqiptare.
- Marrëveshje ekzekutive për nismën kundrejt përforcimit të aftësive të mbrojtjes civile në Shqipëri.
- Marrëveshje për realizimin e projektit në mbështetje të neonatologjisë, në mbrojtje të fëmijëve dhe nënave.
- Memorandum mirëkuptimi operativ kundër trafikut të drogës.
- Marrëveshje për bashkëpunimin në sektorin e mbrojtjes.
- Memorandum mirëkuptimi mes fondacionit MAXXI (Muzeu Kombëtar i Arteve i Shekullit të XXI) dhe Galeria Kombëtare e Arteve e Republikës së Shqipërisë.
- Protokoll mirëkuptimi për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes civile.
- Marrëveshje teknike për dorëzimin e dy motovedetave të Guardia Costiera italiane për Forcën Detare Bregdetare Shqiptare.
- Deklaratë mirëkuptimi mes departamentit të Mbrojtjes Civile Italiane dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile shqiptare, si dhe Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim, zyra e Tiranës.
- Marrëveshje financiare mes Cassa Depositi e Prestiti SpA dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, për përmirësimin e rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike në Shqipërinë veriore, pas tërmetit të vitit 2019.
- Memorandum mirëkuptimi me Cassa Depositi e Prestiti SpA dhe Ministria e Financave të Republikës së Shqipërisë.
- Memorandum mirëkuptimi me Simest SpA dhe Agjencisë për Zhvillimin e Investimeve Shqiptare (AIDA).
- Memorandum mirëkuptimi mes Fincantieri dhe KAYO, memorandum paraprak para krijimit të një ortakërie për punimet në kantieret e Pasha Limanit.
- Memorandum mirëkuptimi mes Leonardo SpA dhe KAYO.
Kryeministri Edi Rama foli sërish për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke theksuar se është gati për marrëveshjen edhe nëse nuk do të ketë të drejtë vetoje.
Rama: “Ajo ç’ka tha Meloni shkon në drejtimin e thellimit të marrëdhënieve. Kemi një nga projektet më të mëdha në Europë për energjinë, që po ecën para. Jemi duke punuar për një tjetër projekt të madh që do të lidhë lindjen me perëndimin, duke përfshirë Italinë, Greqinë, Rumaninë, dhe është me rëndësi të madhe strategjike. Kemi edhe kulturën; nëse nuk do të ishte pranishme kultura, nuk do të ishte as Italia. Kjo nderon Italinë dhe ministrin e saj. Më në fund, pas kaq shumë vitesh, kemi një marrëveshje konkrete. Shpresoj që Muzeu i Artit Italian në Shqipëri të jetë një tjetër fakt konkret dhe ju të jeni ai që do të hapë dyert e muzeut. Koha do të tregojë që kam të drejtë. Gaboja kur isha më i ri si ministër i kulturës, tani që jam veteran nuk besoj se gaboj. Nëse përgjegjësia për këto negociata do të jetë e Giorgias, atëherë do të jemi në duar të sigurta. E kam thënë që jemi gati të bëjmë një marrëveshje me BE për të mos përdorur veton dhe votën, nuk na intereson. Jemi gati që të nënshkruajmë. Sot është një ditë historike. Nëse në takime të tjera më duhet të them që me këtë nivel mikpritje, në këtë pallat kaq të bukur dhe me këtë atmosferë, nuk keni sipas meje të dytë, nuk keni konkurrencë. Unë jam i anshëm, nuk jam objektiv me këtë që them.”
Kryeministri Edi Rama u pyet gjatë konferencës së përbashkët me homologen italiane nëse është ‘penduar për marrëveshjen për emigrantët’. Rama tha se të njëjtën gjë do e bënte sërish, por vetëm me Italinë.
“Me Italinë do e bëja 100 herë, edhe pse 100 herë ju do ishit kundër. Me vendet e tjera, kurrë! Sepse ju nuk jeni Italia. Italia mund t’i kërkojë Shqipërisë çfarë i vjen në mendje dhe ne jemi të gatshëm për t’u përgjigjur,” u shpreh Rama.
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, e quan këtë të enjte, ku u nënshkruan 16 marrëveshje dhe memorandume mes qeverisë italiane dhe asaj shqiptare, si një ditë historike.
“Jam e kënaqur që mirëpres kryeministrin Edi Rama në Romë në një ditë që mund të quhet historike. Jo vetëm për faktin se qeveritë tona takohen në këtë format, por për sasinë dhe cilësinë e marrëveshjeve dypalëshe. Ne e dimë që marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë i kanë rrënjët thellë. Shkojnë përtej interesave. Kemi qenë të mallëngjyer nga kalimi i asamblesë sonë plenare me të paktën 20 ministra që morën fjalën duke folur në mënyrë ekskluzive italisht, pa pasur përkthim. Mendoni sesi Italia ka qenë dhe është pikë referimi për Shqipërinë. Duam që marrëdhëniet t’i shndërrojmë në thesar. Italia është partneri i parë tregtar i Shqipërisë. Do t’i vendosim marrëdhëniet tona në një plan më të thellë. Kemi lënë një tjetër takim për krijimin e një forumi ku do të përfaqësohen ndërmarrje. Kemi përcaktuar drejtimet ku do vijojë bashkëpunimi ynë, duke u përqendruar te korridori i 8-të,” u shpreh Meloni.
