Lideri i PD-së Sali Berisha pret në zyrë deputetin britanik Martin Wickers
Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim me deputetin e Partisë Konservatore në Parlamentin e Britanisë së Madhe dhe kryetar të grupit të miqësisë Britani e Madhe – Shqipëri, Martin Wickers.
Gjatë takimit, Berisha e informoi deputetin britanik mbi situatën politike në vend, duke e cilësuar Shqipërinë si “narko-shtetin e parë dhe të vetëm në Europë”. Ai nënvizoi se financat e lidhura me drogën diktojnë vendimmarrjen në qeveri, Parlament, gjykata dhe polici, duke i paraqitur deputetit Wickers një panoramë të plotë të pasojave të këtij fenomeni.
Në një postim të detajuar, Berisha shprehu mirënjohjen për takimin me z. Martin Wickers, i cili është deputet i Partisë Konservatore në Parlamentin e Britanisë së Madhe, mik i Partisë Demokratike dhe kryetar i grupit të miqësisë Britani e Madhe – Shqipëri.
Gjatë bisedës, u diskutuan gjerësisht zhvillimet në Shqipëri, duke e cilësuar atë si “narko-shteti i parë dhe i vetëm në Europë”. U trajtuan lidhjet e ngushta të niveleve më të larta të pushtetit, përfshirë kryeministrin Edi Rama, me kartelet e drogës dhe organizatat kriminale. Gjithashtu, u theksua shtypja e pluralizmit politik nga organet e dyshuara për përfshirje me krimin, si dhe ndjekja dhe persekutimi politik i drejtuesve të forcave kryesore politike të vendit, së bashku me mohimin e të drejtave kushtetuese të deputetëve të opozitës në Parlament.
Deputeti britanik u njoh gjithashtu me pasojat shkatërrimtare të parave të lidhura me drogën (“narko-eurove” dhe “narko-dollarëve”) në ekonominë shqiptare, si dhe me rolin e tyre përcaktues në proceset vendimmarrëse në rrugë, në qeveri, në Parlament, në gjykata, polici dhe në çdo institucion të vendit.
