Arrestohet marinar italian në Portin e Durrësit për drogë

Në Portin e Durrësit u arrestua një marinar italian, i cili u kap duke tentuar të kalonte një pako me lëndë narkotike.

Policia e Durrësit, nëpërmjet Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Shërbimin e Policisë Kufitare të Portit Durrës, finalizoi operacionin policor të koduar “Next”.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi italian S. M., 25 vjeç, i cili punonte si marinar në linjën Durrës – Ancona. Ai u kap në terminalin e pasagjerëve të Portit Durrës, gjatë përpjekjes për të nxjerrë nga Shqipëria një pako me lëndë të dyshuar si kanabis, në formë boçeje.

Arrestimi erdhi pas informacioneve të marra në rrugë operative. Lënda narkotike u sekuestrua si provë materiale. Materialet e rastit do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për hetime të mëtejshme për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”.

Scroll to Top