Aksident në autokolonën e J.D. Vance, oficer policie në gjendje kritike

VIDEO/ Aksident në autokolonën e J.D. Vance në SHBA, një oficer policie në gjendje kritike

Një aksident rrugor ka ndodhur në autokolonën e senatorit amerikan J.D. Vance në Tenesi, ku një oficer policie ka pësuar lëndime të rënda.

Motoçikleta e drejtuar nga polici i sigurisë Justin Brown, pjesë e ekipit që shoqëronte zyrtarin e lartë, u përplas me një automjet SUV të Policisë Rrugore të Tenesit. Incidenti e la policin Brown në gjendje kritike.

Brown, i cili ishte pjesë e grupit të mbrojtjes së Vance gjatë vizitës së tij në Tenesi, iu nënshtrua një operacioni kirurgjik pas lëndimeve të rënda të marra në aksidentin e ndodhur në rrugën Maryville, mbrëmjen e 14 nëntorit (orë lokale).

Sipas një njoftimi për shtyp të Departamentit të Policisë së Maryville, oficeri u plagos seriozisht kur motoçikleta e tij u ndesh me SUV-in policor.

Kalimtarët e parë në vendngjarje i kanë dhënë ndihmën e parë menjëherë oficerit Justin Brown, derisa ai u transportua nga American Medical Response në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Tenesit.

“Për ata që me reagimin e tyre të shpejtë shpëtuan jetën e FTO Brown mbrëmë, nuk do të mund t’ju falendëronim kurrë mjaftueshëm. Ju jeni heronj të vërtetë”, deklaroi shefi i policisë Tony Jay Crisp.

Sipas burimeve, deri tani, uniformati vazhdon të jetë në gjendje kritike në spital, pas operacionit të kryer më 15 nëntor.

J.D. Vance nuk ka komentuar publikisht aksidentin deri më tani. Në një intervistë të dhënë para incidentit në emisionin “Hannity” të Fox News, duke u përgjigjur pyetjeve për ambiciet e tij presidenciale, ai pranoi se do të shqyrtonte një kandidim për kryetar të Shteteve të Bashkuara pas zgjedhjeve të mesmandatit të vitit 2026.

Scroll to Top