Zjarri përfshin një banesë sociale në Librazhd, shmanget tragjedia
Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur gjatë pasdites së sotme, më 16 nëntor, në një banesë sociale të Bashkisë Librazhd. Një grua endacake, e strehuar nga bashkia në këtë ambient, dyshohet se ka shkaktuar në mënyrë të pavetëdijshme zjarrin në banesë, për shkak të problemeve shëndetësore mendore që ajo vuante.
Në momentet kur flakët nisën të përhapen me shpejtësi, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit ndërhyri menjëherë. Dy mjete zjarrfikëse dhe nëntë efektivë u angazhuan në operacion, duke mbërritur shpejt në vendngjarje. Falë reagimit profesional të tyre, flakët u neutralizuan dhe situata nuk u përshkallëzua.
Fatmirësisht, nuk ka të lënduar, ndërsa dëmet materiale raportohet të jenë të konsiderueshme.
Në vendngjarje ishin gjithashtu të pranishme forca të shumta policore, të cilat siguruan perimetrin e sigurisë dhe po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Autoritetet theksojnë se rasti lidhet me zjarrvënie të pavetëdijshme, për shkak të gjendjes shëndetësore të personit të strehuar në banesë.
