Strasburgu kërkon shpjegime nga Shqipëria për ligjin e studentëve

Strasburgu kërkon shpjegime nga qeveria shqiptare për ligjin e studentëve të mjekësisë

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) i ka kërkuar qeverisë shqiptare dhe 36 studentëve të Mjekësisë, të cilët janë ankuar në Strasburg, të paraqesin shpjegime lidhur me ligjin që i detyron ata të punësohen në vend për një periudhë trevjeçare, ose përndryshe të paguajnë kostot e studimeve.

Studentët e Universitetit të Mjekësisë në Tiranë (UMT) pretendojnë se, përmes këtij legjislacioni dhe mënyrës së trajtimit të ankesës së tyre, u janë shkelur disa të drejta themelore. Këto të drejta përfshijnë “të drejtën për jetë private”, “të drejtën për arsim dhe pronë”, parimin e mosdiskriminimit, si dhe mungesën e një gjykimi të drejtë.

GJEDNJ ka pranuar të shqyrtojë ankimin dhe u ka dërguar palëve një listë pyetjesh. Ndër to, kërkohet sqarim nëse ligji ishte i parashikuar në legjislacionin shqiptar dhe nëse “ndiqte një qëllim legjitim”. Gjykata po ashtu kërkon shpjegime mbi procesin gjyqësor në Gjykatën Kushtetuese të këtij rasti dhe pretendimin e studentëve se ky gjykim nuk ka qenë i drejtë. Gjithashtu, kërkohen sqarime mbi procedurat që do të ndiqen në rast se ligji do të zbatohet.

Ndryshimet ligjore të kundërshtuara u miratuan në vitin 2023 dhe u pritën me protesta nga studentët, të cilët i konsideruan ato si një formë “pune të detyruar” dhe një shkelje të së drejtës së tyre për të zgjedhur profesionin dhe vendin e punës.

Studentët iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese. Më 26 shkurt 2024, Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzojë pjesërisht ligjin. Ajo pranoi se qëllimi i qeverisë për të siguruar burime njerëzore në sistemin shëndetësor publik ishte legjitim, por gjykoi se masat e marra ishin joproporcionale. Kushtetuesja ul afatin maksimal të punësimit të detyruar nga pesë në tre vjet. Gjykatësit konkluduan se skema e qeverisë përbënte një “mohim retroaktiv të lirisë së plotë të zgjedhjes së vendit të punës” për studentët që tashmë ishin të regjistruar në studime.

Si përgjigje ndaj këtij vendimi, Parlamenti ndërhyri më 19 shtator 2024, duke amandamentuar ligjin për ta sjellë atë në përputhje me vendimin e Kushtetueses. Afatet e reja të punësimit u caktuan në tre, dy ose një vit, në varësi të vitit të regjistrimit të studentit. Megjithatë, u la në fuqi detyrimi për të paguar “koston e plotë” të studimeve nëse refuzohet kontrata, si dhe mbajtja e diplomës së studentit derisa të përfundojë periudha e punësimit të detyruar. Këto pika janë ato që kundërshtohen nga 36 studentët që e kanë çuar çështjen në Strasburg.

Scroll to Top