Vodafone & British Council prezantojnë platformën kombëtare të edukimit dixhital
Fondacioni Vodafone në Shqipëri dhe British Council kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për prezantimin e Platformës së Parë Kombëtare Dixhitale, e cila zhvillohet në kuadër të programit “Skills Upload Junior”. Ky hap shënon një moment të rëndësishëm në avancimin e edukimit dixhital në të gjithë vendin.
Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në “Innovation Hub”, Piramida, ku morën pjesë personalitete të rëndësishme, mes tyre:
- Znj. Lisa Felton, Drejtoreshë e Fondacionit të Grupit Vodafone
- Drejtues të lartë të Vodafone Albania
- Znj. Majlinda Mazelliu, Drejtoreshë e British Council për Shqipërinë dhe Kosovën
- Përfaqësues të Ambasadës Britanike
- Znj. Orjana Osmani dhe Znj. Herida Duro, Zëvendësministre të Arsimit
- Znj. Dorina Rapti, përfaqësuese nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar të Shqipërisë
Në fillim të aktivitetit, Znj. Lisa Felton theksoi se ky partneritet me British Council synon përmirësimin e aftësive dixhitale të nxënësve në shkollat e të gjithë Shqipërisë. Për të realizuar këtë objektiv, të dy institucionet do të krijojnë platformën e parë online, e cila do të ofrojë kurrikula të veçanta të fokusuara në inteligjencën artificiale dhe mirëqenien dixhitale, duke u bazuar në modelet e shkollave europiane, si ato të Gjermanisë, Spanjës, Greqisë, Rumanisë dhe vendeve të tjera ku Fondacioni Vodafone është i pranishëm.
Znj. Majlinda Mazelliu, Drejtoreshë e British Council, foli për kurorëzimin e këtij bashkëpunimi si një kontribut në hapjen e rrugëve të reja për nxënësit. Ajo theksoi se ata do të kenë mundësinë të aftësohen për dijet e së ardhmes përmes përdorimit të teknologjisë, duke u shndërruar jo thjesht në konsumatorë, por edhe në inovatorë dhe zgjidhës problemesh.
Pas nënshkrimit zyrtar, nxënësit prezantuan projekte dixhitale frymëzuese. Këto projekte demonstronin kreativitet dhe inovacion, duke pasqyruar misionin e programit për ndërtimin e një të ardhmeje dixhitale më të sigurt dhe gjithëpërfshirëse.
Platforma Kombëtare Dixhitale do të ofrojë përmbajtje të personalizuar dhe trajnime të dedikuara për mësuesit dhe nxënësit, me synim fuqizimin e tyre me aftësitë dixhitale thelbësore. Kjo iniciativë përputhet me angazhimin e Fondacionit Vodafone për të kapërcyer hendekun dixhital dhe për të nxitur gjithëpërfshirjen përmes teknologjisë.
