Ahmetaj: Rama përdor Ballukun si depozitë, rrezikon burgun

Arben Ahmetaj: Rama e përdor Ballukun si depozitë, por të kujdeset

Ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj ka komentuar situatën rreth ministres Belinda Balluku në një intervistë për Syri TV, duke theksuar se ajo është përdorur nga kryeministri Edi Rama me vullnetin e saj.

“Nuk duhet të jetë në detyrë,” tha Ahmetaj, duke shtuar se vendimi për ta mbajtur atë në postin aktual i përket kreut të qeverisë. Ai e ilustroi situatën me një metaforë: “Kur e analizoni ju, e mendoni shishen me kokën lart. Mendoje shishen me kokën poshtë që ta kuptoni sepse e bën dhe çfarë i bën.”

Sipas Ahmetajt, Rama “mirë bën miku e mban sepse tallet me standardet, tallet me moralin”, por paralajmëroi se “ai është njeri që i nxjerr në pritë njerëzit dhe Belinda është aty për t’u servirur një ditë dhe për të fituar ky kohë.”

Ai shprehu mosbesimin për fatin e saj, duke thënë: “Unë nuk i uroj Belindës të shkojë në burg, por unë… Për të kujtuar atë shprehjen ‘kanë ngrënë kumbulla pas kurrizit’ unë mendoj se ka ngrënë Rama kumbulla pas kurrizit të Belindës.”

“Fatkeqësisht, Belinda është përdorur si depozitë e Edi Ramës dhe është përdorur me vullnet të saj,” vijoi ai, duke shtuar se nëse do të kthehej pas 5-6 vitesh, do t’i këshillonte asaj, Benetit (Becit) dhe kujtdo tjetër që të linin detyrën dhe të luftonin për atë që besojnë.

Ahmetaj argumentoi se veprimet e tyre tejkalojnë funksionet e institucionit, duke i përshkruar si një “organizatë kriminale me urdhra: ‘Jepja!’, ‘Hiqja!’, ‘Bëja!’, ‘Këtë ule, këtë ngrije, këtë shkatërroje, këtë hiqe nga puna’, ‘Jepi këtij paratë!’.” Ai përmendi si provë deklaratat e një biznesmeni lidhur me Aeroportin e Vlorës, ku thuhet se vendimet për aksionet merreshin në zyrën e saj.

“Është çmenduri e pafundme. Dhe vazhdojnë kërkojnë çfarë kam bërë unë. U thotë Ed Rama shikoni çfarë ka bërë. E di unë çfarë kam bërë. Besimin tek ty,” përfundoi Ahmetaj.

Scroll to Top