GJEDNJ kërkon shpjegime nga Shqipëria për ligjin e studentëve të mjekësisë

Strasburgu i kërkon shpjegime qeverisë për ligjin e studentëve të mjekësisë

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) ka pranuar të shqyrtojë ankimin e 36 studentëve të Mjekësisë kundër një ligji që i detyron të pranojnë një punë në vend ose të paguajnë kostot e studimit. GJEDNJ ka publikuar një listë pyetjesh për palët para shqyrtimit të rastit.

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka paraqitur të hënën një listë pyetjesh drejtuar qeverisë shqiptare dhe 36 studentëve të Mjekësisë, të cilët janë ankuar në Strasburg kundër ligjit që i detyron të punësohen në vend për një periudhë 3-vjeçare ose të paguajnë kostot e shkollimit.

Studentët e Universitetit të Mjekësisë në Tiranë (UMT) pretendojnë se me anë të legjislacionit dhe mënyrës së trajtimit të ankimimit të tyre, u janë shkelur disa të drejta, përfshirë:

  • Të drejtën për jetë private
  • Të drejtën për arsim dhe pronë
  • Parimin e mosdiskriminimit
  • Të drejtën për një gjykim të drejtë

GJEDNJ ka pranuar të shqyrtojë ankimin dhe u ka dërguar palëve një listë pyetjesh. Këto pyetje përfshijnë nëse ligji ishte parashikuar në legjislacionin shqiptar dhe nëse ai “ndiqte një qëllim legjitim”. Gjykata kërkon gjithashtu shpjegime lidhur me gjykimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese dhe pretendimin e studentëve për një gjykim jo të drejtë. Po ashtu, kërkohen sqarime mbi procedurat që do të ndiqen në rast zbatimi të ligjit.

Ndryshimet ligjore të kontestuara u miratuan në vitin 2023, por u pritën me protesta nga studentët, të cilët i konsideruan ato si një formë “pune të detyruar” dhe një shkelje të së drejtës së tyre për të zgjedhur profesionin dhe vendin e punës.

Studentët u ankuan fillimisht në Gjykatën Kushtetuese. Më 26 shkurt 2024, Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzojë pjesërisht ligjin. Ndërsa pranoi se qëllimi i qeverisë për të siguruar burime njerëzore në sistemin shëndetësor publik ishte legjitim, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se masat ishin joproporcionale. Kushtetuesja e reduktoi periudhën maksimale të punësimit të detyruar nga pesë në tre vjet. Gjyqtarët arritën në përfundimin se skema e qeverisë përbënte një “mohim retroaktiv të lirisë së plotë të zgjedhjes së vendit të punës” për studentët që tashmë ishin të regjistruar në studime.

Si përgjigje ndaj këtij vendimi, Parlamenti ndërhyri më 19 shtator 2024, duke amenduar ligjin për ta sjellë atë në përputhje me vendimin e Kushtetueses. Afatet e reja të punësimit u përcaktuan në tre, dy ose një vit, në varësi të vitit të regjistrimit të studentit. Megjithatë, u ruajt detyrimi për të paguar “koston e plotë” të studimeve nëse refuzohet kontrata, si dhe mbajtja e diplomës së studentit derisa të përfundojë periudha e punësimit të detyruar. Këto pika kundërshtohen nga 36 studentët që e kanë dërguar çështjen në Strasburg.

Scroll to Top