Ahmetaj mohon transaksione, akuzon kërcënime nga 3 numra

“Jam kërcënuar nga 3 numra” / Ahmetaj: Asnjë provë për transaksione parash në Austri

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka hedhur akuza të rënda, duke e cilësuar çështjen e ngritur ndaj tij si një “tymnajë” të qëllimshme për të shmangur vëmendjen e publikut nga skandalet qeveritare.

Në një lidhje telefonike me emisionin “Çim Peka Live” në SYRI TV, Ahmetaj sfidoi SPAK dhe këdo tjetër të paraqesë prova për një “pseudo-transaksion”. Ai deklaroi se nëse do të ekzistonte qoftë edhe një transaksion i vetëm prej një euroje, ai “do të ishte i varur në Tiranë”.

“Në rastin tim urgjenca ka qenë shembullore. Dhe e dyta është në fazën e tymnajës, për një transaksion. Unë do e lë në vazhdën tuaj. Nëse ka një transaksion të dalë publikisht. Ka zero transaksion, jo me Austrinë, por në asnjë vend, as parajsë fiskale, as kripto”, – tha Ahmetaj.

Ai theksoi se një letër-porosi e ardhur nga Austria që në muajin maj, sipas tij, konfirmon se nuk ka asnjë lidhje me të. “Pse prokurori e ka sjellë sot kërkesën, sepse ka thënë që s’ka lidhje kjo me zotin Ahmetaj. Nëse ka një transaksion, sot do isha i varur. Nëse do kishte një ‘gjysmë-D’, jo ‘5D’, por vetëm ‘gjysmë-D’, sot do isha i varur,” tha Ahmetaj.

Ai deklaroi se është përballur me kërcënime pas denoncimeve të tij publike, duke përmendur specifikisht ngjarje të ndodhura në muajin tetor. Ahmetaj zbuloi se ka kërkuar verifikimin e 3 numrave telefonikë nga institucione ndërkombëtare “përtej oqeanit”.

Ahmetaj konfirmoi se ngjarjet kanë ndodhur në tetor, por nuk dha detaje të mëtejshme mbi natyrën apo burimin e tyre. “Para se të flas për kërcënimet, ne do t’i shtjellojmë në të ardhmen. Unë i kam kërkuar institucioneve, deri në, përtej oqeanit, për të verifikuar të gjitha numrat e telefonave, të tre numrat e telefonave. Po kjo s’ka rëndësi se s’dua të bëj sot devijim… në tetor, por do ta shtjellojmë këtë pikë të kërcënimeve të mia. Unë po them vetëm kaq sot”, – tha ish-zv.kryeministri.

Scroll to Top