Berisha: Basha më këshilloi të largohesha nga zyra më 21 janar

Berisha: Basha më këshilloi të largohesha nga zyra më 21 janar

Sali Berisha ka qëndruar për më shumë se dy orë në ambientet e SPAK, ku ka dhënë sqarime lidhur me ngjarjet e 21 janarit, ku humbën jetën katër protestues.

Duke u shprehur para mediave, Berisha deklaroi se protesta ishte organizuar nga Edi Rama dhe ai mban përgjegjësinë kryesore. Kreu i PD-së theksoi se ushtarët e Gardës nuk kanë qëlluar nga brenda Kryeministrisë dhe se nuk është dhënë asnjë urdhër për këtë.

Berisha tregoi edhe një episod, duke theksuar se “Basha dhe komandanti i Gardës më kanë kërkuar të evakuohesha”, por shtoi se nuk pranoi.

“Absolutisht asnjë urdhër. Asnjë urdhër nuk është dhënë për të qëlluar. Asnjë urdhër dhe kurrë. Nuk mund të jepet urdhër. Po, Basha ka ardhur në zyrën time dhe ka kërkuar nga unë, sepse ishin thyer xhamat me plumba apo me gurë, tek dritarja ngjitur me tavolinën time, dhe ministri, komandanti i Gardës kanë ardhur dhe më kanë thënë të evakuohesha, jo, u thashë. Sepse unë isha jashtë me ambasadoren gjermane dhe u futa drejt e në zyrë. Unë isha në detyrë. Të shkoja në një zyrë tjetër, jo, unë isha në detyrë. Kjo është zyra ime. Kryeministri nuk mund të bëjë zyrat sipas qejfit, është institucion kushtetues kryeministri. Kjo ka qenë kërkesa e tyre dhe unë kam qëndruar në zyrë deri në fund.”

Ai shtoi se ka pasur një ndërmjetësim ndërkombëtar, duke përmendur ambasadorin e SHBA-së, dhe se çdo oficer i kërkuar nga prokuroria është paraqitur në prokurori, por në ndjekje të lirë. Berisha tha se kjo ndodhi sepse Edi Rama dhe Ina Rama kërkonin të elimininonin zinxhirin e komandës, në kohën kur Edi Rama kishte deklaruar se beteja tjetër do të ishte vendimtare dhe secili nga gardistët e thirrur janë paraqitur në prokurori. “Të gjitha të tjerat janë mashtrime”, përfundoi ai.

Scroll to Top