Shqipëria bie në renditje FIFA, Kosova ngjitet

RENDITJA E FIFA-S: Kualifikimi historik nuk mjafton, Shqipëria bie në klasifikim. Rekord i ri për Kosovën

Kualifikimi për herë të parë në fazën “play-off” të Botërorit nuk i ka mjaftuar Kombëtares shqiptare që të ngjitet në renditjen e FIFA-s. Fitorja kundër Andorrës i ka sjellë Kombëtares shqiptare vetëm pikë minimale, të cilat janë neutralizuar nga humbja në shtëpi ndaj Anglisë. Për pasojë, kuqezinjtë kanë humbur 0,27 pikë krahasuar me renditjen e një muaji më parë dhe kanë rënë nga vendi i 61-të në atë të 63-tin.

Ndërkohë, bie në sy se Kosova ka vendosur një rekord të ri pas fitores kundër Sllovenisë dhe barazimit ndaj Zvicrës, arritje këto që e shtyjnë drejt kualifikimit në “play-off”-in e Botërorit. Aktualisht, Kosova është 4 vende më lart në klasifikimin e FIFA-s, duke u pozicionuar në vendin e 80-të.

Klasifikimi i muajit nëntor në FIFA do të shërbejë si bazë për shortet e “play-off”-it të Botërorit, si dhe për fazën finale të tij. Siç dihet, renditja e FIFA-s për zonën e Europës e pozicionon Shqipërinë në vazon e tretë, çka do të thotë se ajo do të luajë jashtë fushe ndeshjen e parë gjysmëfinale në “play-off”.

Scroll to Top