ERE miraton udhëzim për faturat e energjisë me të dhëna

Ndryshojnë faturat e energjisë, ERE miraton udhëzimin që kërkon të dhëna të detajuara.

Faturat e energjisë do të përfshijnë në vazhdim të dhëna më të detajuara lidhur me kategorinë e konsumatorit, bilancet e vetëprodhimit të energjisë, si dhe rastet kur ka instalim për konsum të makinës elektrike.

Enti Rregullator i Energjisë, në një udhëzim të miratuar së fundmi, ka nënvizuar se çdo faturë duhet të ketë identifikimin e konsumatorit.

Konkretisht, sipas kuadrit ligjor, kategorizimi i konsumatorëve përfshin:

  • Familjarë
  • Të tjerë të lidhur në 0.4 kV, të furnizuar nga Furnizuesi Universal
  • Familjarë me konsum nën 700 kWh
  • Konsumatorë të Furnizuesit të Mundësisë së Fundit
  • Objekte kulti
  • Furra buke / prodhim mielli (sipas nënkategorive)
  • Pika/stacione karikimi automjetesh elektrike (EV)
  • Vetëprodhues (me burime të rinovueshme të energjisë)
  • Ujësjellës kanalizime të lidhura në nivelin e tensionit 35 kV/20/10/6 kV.

Enti kërkon nga furnizuesit të përditësojnë sistemet e faturimit elektronik. Gjithashtu, sipas një vendimi të Bordit të 13 nëntorit, ata duhet të raportojnë çdo tre muaj listën e kontratave të konsumatorëve që disponojnë pajisje karikimi për automjete elektrike dhe/ose kapacitete vetëprodhimi.

Udhëzimi sanksionon në nenin 7 se për konsumatorët ekzistues, të cilët kanë një pikë/stacion karikimi me fuqi të instaluar mbi 11 kW të lidhur në nivelin e tensionit 0.4 kV dhe kanë një pikë lidhje të miratuar por jo kontratë furnizimi, Furnizuesi i Shërbimit Universal duhet të gjenerojë një kontratë të re furnizimi.

Konsumatorët ekzistues nuk ngarkohen me kosto shtesë për instalimin e një sistemi matje për këto pika/stacione karikimi.

Po kështu, të gjithë konsumatorët që aplikojnë për herë të parë për një pikë/stacion karikimi me fuqi të instaluar mbi 11 kW të lidhur në nivelin e tensionit 0.4 kV, duhet të lidhin kontratë të re me furnizuesin i cili ofron këtë shërbim.

Sipas vendimit të ERE, hyrja në fuqi e udhëzimit do të bëhet pas publikimit në Fletoren Zyrtare dhe do të aplikohet në faturimet që bëhen nga muaji dhjetor 2025.

Scroll to Top