Arrestim për shitje rrobash kontrabandë në Yzberisht

Shiste rroba kontrabandë nga Greqia, arrestohet 49-vjeçarja në Yzberisht.

Në përfundim të operacionit policor të koduar “Outlet”, i cili u realizua falë bashkëpunimit mes strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe Drejtorisë së Hetimit të Krimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, është goditur një rast kontrabande mallrash në Shqipëri, dyshuar se janë vjedhur në Greqi.

Si pasojë e këtij operacioni, është zbuluar dhe bllokuar një dyqan në Yzberisht, ku shiteshin mallra (rroba) të kontrabanduara. Administratorja e dyqanit është arrestuar.

Hetimet vijojnë për të identifikuar edhe shtetas të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.

Seksioni i Hetimit të Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Drejtorinë për Krimet në Volum të DPPSh, bazuar në informacionet e siguruara lidhur me një rast kontrabande mallrash, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Outlet”. Si rezultat u arrestua shtetasja E. K., 49 vjeçe, banuese në Tiranë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në subjektin tregtar që administrohej nga kjo shtetase, në rrugën “Demneri”, Yzberisht, u gjet dhe u sekuestrua një sasi e konsiderueshme rrobash të ndryshme, për të cilat ajo nuk posedonte dokumentacion doganor apo fatura blerjeje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Scroll to Top