Njihuni me pushimoren “Fotosinteza” në Hadroj të Pukës, pranë Fushë-Arrëzit
Pushimorja “Fotosinteza”, e vendosur në Hadroj të Pukës, afër Fushë-Arrëzit, ofron një ndalesë ideale për udhëtarët që dëshirojnë të kalojnë momente relaksi gjatë udhëtimit.
Ky mjedis i qetë, i rrethuar nga bredha të gjelbër dhe pisha të zeza, siguron freskinë dhe qetësinë e duhur për vizitorët. Aty janë vendosur karrige, tavolina, stola, burime uji dhe dy tualete.
Brenda pushimores gjenden panele informative me shkrime mbi procesin e fotosintezës dhe frymëmarrjes së drurëve në pyjet halore, si dhe rëndësinë e mbrojtjes dhe mirëmbajtjes së vazhdueshme të pyjeve. Këto informacione synojnë të zgjojnë kureshtjen e udhëtarëve dhe vizitorëve, duke promovuar zonën pyjore dhe duke i inkurajuar ata të eksplorojnë më tej natyrën dhe shtigjet e tjera të zonës së Pukës dhe Fushë-Arrëzit.
Bredhat e gjelbër dhe pishat e zeza çlirojnë sasi të mëdha oksigjeni dhe thithin gazin karbonik, duke kontribuar në pastrimin e ajrit. Ky mjedis është veçanërisht i përshtatshëm për personat që vuajnë nga lodhja dhe problemet e frymëmarrjes. Përveçse ambient të këndshëm, pylli ofron një aromë të veçantë, falë vajrave esencialë që avullohen nga halat dhe kurorat e drurëve. Qëndrimi në këtë mjedis jo vetëm lehtëson frymëmarrjen, por gjithashtu ndihmon në pakësimin e alergjive dhe stresit.
Kjo pushimore u ndërtua nga maturantët e parë të Shkollës së Mesme Pyjore Fushë-Arrëz, periudhën 1971–1975. Ajo u përurua në qershor 2025, me rastin e 50-vjetorit të diplomimit të tyre. Bredhat e huaj, të cilët kanë cilësi të mira, u mbollën si eksperiment nga nxënësit e maturës, krahas pishave të zeza, gjatë praktikave mësimore në Ndërmarrjen Pyjore Fushë-Arrëz, në periudhën 1973–1975.
Pushimorja ka tërhequr shumë udhëtarë të rastit, por edhe vizitorë të tjerë që kanë ardhur posaçërisht për ta vizituar. Përshtypjet e tyre janë shumë pozitive lidhur me këtë mjedis të përmirësuar dhe vënë në shërbim të njerëzve.
Ish-maturantët e viteve 1971-1975 vazhdojnë të kujdesen dhe mirëmbajnë vazhdimisht grumbullin pyjor kryesor dhe zonën përreth. Përveç infrastrukturës për njerëzit, ata kanë kontribuar edhe në shërbime për pyllin, duke kryer krasitje teknike sipas një projekti të miratuar nga Bashkia Pukë.
Deri më 20 nëntor 2025, pesë muaj pas përurimit, pushimorja është vizituar nga rreth 5000 persona. Shumë prej tyre kanë lënë përshtypjet e tyre me shkrim në librin e vizitorëve, duke vlerësuar mjedisin.
Ndër vizitorët më të veçantë dhe të shquar kanë qenë vajzat e Miss Globe 2025, të cilat me stafin e tyre, për rreth dy orë, kanë sfiluar, realizuar foto dhe dhënë intervista për mediat shqiptare dhe ndërkombëtare.
Krijuesit e këtij mjedisi dhe strukturat vendore shprehin dëshirën dhe urimin që ky vend, tashmë me emër, të mbrohet, mirëmbahet dhe vizitohet nga sa më shumë njerëz. Kënaqësia që ofron ky mjedis pyjor dhe pyjet në përgjithësi janë të papërsëritshme dhe të pallogaritshme.
Matura 1971–1975, Shkolla e Mesme Pyjore, Fushë-Arrëz.
