PD Reagon: Rama Përdori Drejtësinë për të Shkarkuar Ballukun
Partia Demokratike ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Posaçme, e cila sot pezulloi nga detyra dhe bllokoi pasaportën zv/kryeministres Belinda Balluku. Ajo është marrë e pandehur nga SPAK për abuzime lidhur me tenderin e tunelit të Llogarasë.
Në një deklaratë për mediat nga selia blu, deputeti Klevis Balliu u shpreh se kryeministri Edi Rama, sipas tij, e ka “flakur” Ballukun si të ishte “leckë”, duke dashur të shpëtojë veten.
“Me këtë akt të paprecedent të largimit nga detyra, pra të flakjes si leckë me vendim gjykate, të numrit 2 të qeverisë, sikur të ishte një magaziniere, dhe jo të shkarkimit të saj me propozim të Kryeministrit dhe dekret të Presidentit, ashtu siç është emëruar, Edi Rama faktoi se në panik dhe tmerr është i aftë të bëjë gjithçka për t’i shpëtuar ligjit dhe drejtësisë,” tha Balliu.
Deputeti theksoi se Balluku “ka ngrënë dardha pas shpinës së Ramës”, ndërsa shtoi se “për turpin e tyre, dyshja Rama-Balluku treguan se nuk njohin institucionin e dorëheqjes”.
Deklaratë e Partisë Demokratike:
Duke përdorur drejtësinë për të hequr qafe Belinda Ballukun, Edi Rama provoi edhe njëherë se njeriu burracak nuk bëhet trim, as kur është në majën e piramidës së pushtetit. Ai e trajtoi zv/kryeministren e tij, prapa shpinës së të cilës “kishte ngrënë dardha”, si dëm kolateral, si një e keqe prej së cilës duhet të shpëtonte sa më parë, nga frika se ajo po e merrte me vete dhe duhej larguar, jo nga ai, por nga kushdo tjetër, me një qëllim të vetëm: shpëtimin e karriges, pushtetit dhe kokës së vet.
Për turpin e tyre, dyshja Rama-Balluku treguan se nuk njohin institucionin e dorëheqjes. Me këtë akt të paprecedent të largimit nga detyra, pra të flakjes si leckë me vendim gjykate, të numrit 2 të qeverisë, sikur të ishte një magaziniere, dhe jo të shkarkimit të saj me propozim të Kryeministrit dhe dekret të Presidentit, ashtu siç është emëruar, Edi Rama faktoi se në panik dhe tmerr është i aftë të bëjë gjithçka për t’i shpëtuar ligjit dhe drejtësisë.
Kërcënimit “po rashë unë, do të të marr me vete” të Belinda Ballukut, Edi Rama zgjodhi t’i përgjigjej jo duke e shkarkuar apo kërkuar dorëheqjen, siç ia kërkonte detyra, parimi, përgjegjësia politike, por me “pritë pas shpine”. Sot të dy janë të poshtëruar, si Rama ashtu edhe Balluku, sepse ata janë në qendër të një labirinti krimi e korrupsioni, një rrethi vicioz ku kokat priten, por sistemi i së keqes qëndron.
Partia Demokratike e ka të qartë dhe thekson atë që ka thënë përherë: është Edi Rama koka e sistemit narkos dhe pa rënien e tij nuk ndryshon asgjë. Nuk ka alternativë tjetër veç dorëheqjes së Edi Ramës. Kjo është kërkesa jonë dhe kushti i kohës. Kjo e bën misionin e Foltores qytetaro-parlamentare edhe më jetik, kjo e bën lëvizjen opozitare një kërkesë të kohës, kjo e bën rrëzimin e narko-qeverisë një domosdoshmëri kombëtare.
