SHBA negocion plan paqeje për Ukrainën pa Kiev?

Analiza e DW: A ka negociuar SHBA me Rusinë një plan paqeje për Ukrainën?

Ukraina po përballet me sulme të ashpra ruse. Ndërkohë, mediat amerikane raportojnë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë negociuar një plan paqeje me Rusinë, pa pjesëmarrjen e Kievit.

Sipas raporteve të disa mediave, udhëheqja amerikane nën Presidentin Donald Trump ka hartuar fshehurazi një plan të ri me Moskën për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Drafti i planit kërkon lëshime të mëdha nga Ukraina e sulmuar dhe i përgjigjet kryesisht kërkesave të Rusisë ndaj Kievit, raportoi Financial Times. Sipas planit, Ukraina do të duhej të tërhiqej plotësisht nga rajonet e kontestuara të Donetskut dhe Luhanskut dhe të pranonte kufizime si zvogëlimin e ushtrisë së saj.

Financial Times thekson se ka cituar burime të përfshira në negociata. Ndërkohë, portali i lajmeve në Uashington “Axios” raportoi se ky plan duket se është negociuar në fund të tetorit nga i dërguari special i Trump, Steve Witkoff, dhe përfaqësuesi i Moskës, Kirill Dmitriev. Sipas raportit, Witkoff e ka informuar kreun e Këshillit të Sigurisë të Ukrainës, Rustem Umyerov, për planin.

Sipas “Axios”, duket se edhe Turqia dhe Katari kanë marrë pjesë në bisedime. Për të diskutuar planet, njoftohet se edhe një delegacion ushtarak amerikan ka udhëtuar në Kiev. Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Denys Shmyhal, raportoi një takim me Daniel Driscoll, Ndihmës Sekretarin e Mbrojtjes të SHBA-së për Ushtrinë. Sipas raporteve të mediave amerikane, përveç Driscoll, delegacioni përfshin tre gjeneralë dhe oficerë të tjerë që pritet të takohen edhe me presidentin Volodymyr Zelensky.

Megjithatë, në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u shpreh se nuk kishte propozime të reja mes Rusisë dhe SHBA-së për t’i dhënë fund luftës. Marrëveshja e arritur nga shefi i Kremlinit, Vladimir Putin, dhe Trump në samitin e tyre në Alaska në gusht mbetet në fuqi, sipas Peskov.

Ndërkohë, Rusia ka intensifikuar sulmet ajrore kundër Ukrainës perëndimore, duke vrarë të paktën 25 persona, sipas Ministrisë së Brendshme të Ukrainës. Trump kohët e fundit ushtroi presion mbi Moskën duke vendosur sanksione ndaj kompanive të naftës Rosneft dhe Lukoil. Ushtria ruse pushtoi Ukrainën në një front të gjerë më shumë se tre vjet e gjysmë më parë me urdhër të Putinit./DW

Scroll to Top