Taksa e Re Pronës: 2.5 Milionë Pasuri në 2026/2028

Taksa e re e pronës: Në vitin 2026 parashikohet regjistrimi i 2.5 milionë pasurive të paluajtshme

Në vitin 2026 pritet të regjistrohen në kadastër 2.5 milionë pasuri të paluajtshme, të cilat do të jenë subjekt i taksës së re për pasuritë e paluajtshme. Këto të dhëna janë bërë publike në vendimin e Këshillit të Ministrave “Për miratimin e dokumentit të programit buxhetor afatmesëm 2026-2028, të rishikuar”, botuar në Fletoren Zyrtare.

Kostoja për regjistrimin e këtyre pasurive në vitin 2026 është llogaritur në shumën prej 25.7 milionë lekë, ose 10.2 lekë për çdo pasuri të regjistruar. Numri i pronave të planifikuara për t’u regjistruar pritet të mbetet i njëjtë edhe për vitet 2027 dhe 2028, sipas të dhënave të publikuara në strategjinë afatmesme.

Për vijimin e projektit “ProTax Albania-Implementimi i taksës së pasurisë të bazuar në vlerën tregut”, për vitin 2026 parashikohet të shpenzohen 8.7 milionë lekë.

Taksa e re e pasurive të paluajtshme, e llogaritur mbi vlerën e tregut të pasurive, sipas draftit të publikuar në vitin 2023, pritej të niste zbatimin nga 1 janari 2026. Megjithatë, Ministria e Financave e shtyu zbatimin me dy vite, duke e vendosur për vitin 2028.

Nga Ministria e Financave u sqarua se shkak i shtyrjes është hartimi i një projektligji tërësisht të ri, i cili do të miratohet në vitin 2026 dhe do të nisë të zbatohet së bashku me Kadastrën Fiskale nga viti 2028. Shtyrja vjen pas konsultimeve dhe përgatitjeve të nevojshme për të krijuar një sistem të ri taksimi, bazuar në vlerën e tregut të pasurive të paluajtshme.

Në projektligjin e mëparshëm, publikuar për konsultim në vitin 2023, propozohej që niveli i taksës për ndërtesat rezidenciale të luhatet nga 0.1% në 0.2%, nga 0.05% që zbatohet aktualisht. Për ndërtesat tregtare, niveli i propozuar i taksës ishte nga 0.15% në 0.25%, krahasuar me 0.2% aktualisht. Për ndërtesat bujqësore dhe industriale, u propozua një nivel takse nga 0.15% në 0.25%.

Mësohet se drafti i ri që po hartohet nuk parashikon ndryshime në koeficientët e taksës për ndërtesë, truall dhe tokë bujqësore, të propozuara në vitin 2023, të cilat synonin përafrimin e shkallës së taksës me vendet e rajonit.

Gjithashtu, edhe në përfundim të konsultimeve për artikullin IV, drejtuesja e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Anke Weber, rekomandoi rritjen e të ardhurave përmes përparimit të reformës së taksës së pronës.

Scroll to Top