Lejet e qëndrimit për të mitur në BE: Shqiptarët të tretët në Europë
Shqipëria renditet ndër vendet kryesore jo-anëtare të BE-së për numrin e të miturve që marrin leje të para qëndrimi në vendet e Bashkimit Europian. Sipas të dhënave të Eurostat, gjatë vitit 2024, 18,697 fëmijë shqiptarë nën moshën 18 vjeç morën leje të para qëndrimi në një nga vendet e BE-së. Ky numër e pozicionon Shqipërinë në vendin e tretë në Europë për këtë kategori, pas Ukrainës dhe Bjellorusisë.
Migracioni i të miturve shqiptarë drejt vendeve të BE-së është i përqendruar pothuajse tërësisht në tre shtete kryesore:
- Itali: 8,254 leje (44.1%)
- Greqi: 4,877 leje (26.1%)
- Gjermani: 4,165 leje (22.3%)
Vendet e tjera të BE-së kanë lëshuar vetëm 1,401 leje (7.5%).
Të dhënat e Eurostat tregojnë se arsyeja dominuese për lëshimin e lejeve të para qëndrimi për të mitur në BE mbetet bashkimi familjar. Kjo lidhet ngushtë me komunitetet e mëdha shqiptare të vendosura prej kohësh në Itali dhe Greqi, vende këto që tradicionalisht kanë qenë destinacione kryesore të emigracionit shqiptar që prej viteve ’90 dhe vijojnë të tërheqin valë të reja të migrimit familjar. Ndërkohë, Gjermania është shndërruar në vitet e fundit në një destinacion të rëndësishëm, duke ofruar mundësi punësimi për të rriturit dhe duke tërhequr gjithashtu familje të reja.
Në total, gjatë vitit 2024, vendet e BE-së lëshuan 540,445 leje të para qëndrimi për qytetarë jo-BE nën moshën 18 vjeç. Nga këto:
- 356,554 leje (66%) u dhanë për arsye të lidhura me bashkimin dhe formimin e familjes.
- 160,618 leje (30%) u lëshuan për arsye të tjera, përfshirë mbrojtjen ndërkombëtare.
- 21,179 (4%) u dhanë për arsye të lidhura me arsimin.
Shtetet që lëshuan numrin më të lartë të lejeve për të mitur ishin Gjermania (138,692 leje, 26% e totalit të BE-së), e ndjekur nga Spanja (107,828 leje, 20%) dhe Italia (60,125 leje, 11%).
Në terma relativë, raporti i lejeve të para për çdo 100,000 banorë nën 18 vjeç ishte më i lartë në Maltë (3,379), Qipro (2,584) dhe Luksemburg (1,861). Në Letoni, Kroaci, Estoni, Bullgari dhe Rumani, ky raport ishte nën 200 për 100,000 fëmijë.
Duhet theksuar se Franca, e cila ka vlerën më të ulët prej vetëm 17 leje për 100,000 të mitur, zakonisht nuk lëshon leje qëndrimi për fëmijë.
Duke analizuar shtetësinë e të miturve që morën leje të para qëndrimi në BE për të gjitha arsyet, rezulton se 37% ishin shtetas të vendeve aziatike, 27% europianë jo-BE, 21% nga vendet afrikane, 11% nga Karaibet, Amerika Qendrore dhe Amerika e Jugut, ndërsa 2% ishin shtetas të Amerikës së Veriut. Siria përbënte 12% të totalit të lejeve të para të lëshuara për të mitur në BE, e ndjekur nga Maroku me 7% dhe Ukraina me 6%.
