LAJMI BOMBA! Klubi i Vllaznisë përballet me probleme financiare serioze; FIFA e dënon tre herë brenda 5 ditësh për shkak të detyrimeve të pashlyera
Klubi i Vllaznisë duket se ka një problem shumë serioz sa i përket detyrimeve të prapambetura. Sipas vendimeve të fundit të FIFA-s, klubi shkodran ka një listë të gjatë personash të cilëve u duhet të paguajë detyrimet financiare.
Si pasojë e këtyre problemeve, drejtuesit e klubit po përballen me bllokimin e merkatos për tre dritare transferimesh, dhe jo vetëm një herë, por tashmë tre të tilla.
Vendimet e FIFA-s:
- Fillimisht, më datë 19 nëntor, është dhënë një bllokim me tre dritare transferimesh për rastin e një lojtari me të cilin Vllaznia ka humbur gjyqin në nivel ndërkombëtar dhe nuk ka arritur të paguajë në kohë detyrimin.
- Më pas, më datë 24 nëntor, FIFA ka publikuar edhe dy dënime të tjera. Secili rast përfaqëson një futbollist tjetër, të cilit shkodranët nuk i kanë paguar, kanë humbur gjyqin dhe përsëri nuk kanë respektuar afatin për pagesën.
Kështu, klubi rezulton të jetë dënuar trefish nga FIFA. Secili dënim nënkupton nga tre dritare të merkatos të bllokuara. Pa shlyer këto detyrime, klubi nuk do të jetë në gjendje të kryejë asnjë transferim.
Kjo situatë sjell edhe kosto shtesë për klubin. Për çdo vonesë në pagesë, paguhet një kamatë ndaj personit të dëmtuar, si dhe një gjobë përkatëse në FIFA bashkë me shpenzimet e gjyqit.
Duhet theksuar se këto janë vetëm detyrimet ndaj lojtarëve që kanë ardhur me transferim ndërkombëtar dhe i drejtohen FIFA-s, jo FSHF-së.
Situata mund të jetë shumë më e rënduar nëse të njëjtat mospagesa dhe vonesa reflektohen edhe me futbollistët shqiptarë. Një zhvillim i tillë do të bënte praktikisht katastrofike situatën në Shkodër, pikërisht në vitin kur të gjithë shpresonin që ekipi të ecte i qetë drejt titullit kampion që mungon prej 25 vitesh.
E.KUKA-PANORAMASPORT.AL
