GJEDNJ gjen shkelje në procesin e vetingut të ish-gjyqtarit Selimi

GJEDNJ gjen shkelje në procesin e vetingut të ish-gjyqtarit Shkëlzen Selimi

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) ka konkluduar se gjyqtari Shkëlzen Selimi, i cili u shkarkua nga institucionet e vetingut, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA), për shkak të kontakteve të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, nuk është informuar siç duhet gjatë procesit të hetimit dhe gjykimit administrativ të çështjes së tij lidhur me akuzat që i’u ngritën.

GJEDNJ konkludon gjithashtu se Selimit nuk iu dha një mundësi e mjaftueshme për t’i kundërshtuar gjetjet për figurën e tij. “Qasja e organeve të verifikimit ndaj vlerësimit të komponentit të dytë të procesit të verifikimit (i cili rezultoi në gjetje të gjera që konsideroheshin të mjaftueshme për të justifikuar shkarkimin e tij nga detyra) ndikoi në vetë thelbin e të drejtave procedurale të aplikantit dhe se, në rastin aktual, nuk përmbushi kërkesën e drejtësisë të Nenit 6 § 1 të Konventës,” thuhet në arsyetimin e gjykatës së Strasburgut.

Në vendimin e gjykatës së Strasburgut, evidentohet se Selimit nuk iu dha mundësia që gjatë procesit të rivlerësimit të tij, të njihej me aktet e institucioneve ligjzbatuese ku ngriheshin dyshimet për kontaktet e tij të papërshtatshme.

Tutje, argumentohet se ankuesi ka të drejtë për rimbursim të kostove dhe shpenzimeve vetëm për aq sa është vërtetuar se ato kanë qenë reale. Duke iu referuar akteve të administruara në këtë proces, GJEDNJ ka caktuar që shteti shqiptar t’i shlyejë Selimit një shumë prej 6500 eurosh, si dhe çdo taksë që mund t’i ngarkohet.

Në përfundim, GJEDNJ ka vendosur të shpallë të pranueshme ankesat në lidhje me të drejtat e ankuesit për një seancë të drejtë dëgjimore dhe për respektimin e jetës private; se ka pasur shkelje të nenit 6 të Konventës, ndërkohë që ka çmuar se nuk është e nevojshme të shqyrtohet ankesa sipas nenit 8 të Konventës. Gjithashtu, është vendosur se konstatimi i një shkeljeje përbën në vetvete një shpërblim të drejtë dhe të mjaftueshëm për çdo dëm jo-material të pësuar nga ankuesi dhe se shteti duhet t’i paguajë atij shumën 6500 euro brenda tre muajve pasi vendimi të marrë formë të prerë, si dhe çdo taksë që mund t’i ngarkohet në lidhje me kostot dhe shpenzimet.

Në fund, GJEDNJ ka rrëzuar pjesën tjetër të kërkesës së Selimit për shpërblim të drejtë në vlerën 150 mijë euro.

I pyetur për koment, ish-gjyqtari Shkëlzen Selimi e cilësoi vendimmarrjen e gjykatës së Strasburgut për çështjen e tij si një fitore morale. “Është vendimi i dytë pas atij që dha GJKKO ku, si pak gjyqtarë të shkarkuar u ndoqa penalisht dhe mora pafajësi, jo se nuk u provua, por se fakti nuk ekziston. Do pres që vendimi të marrë formë të prerë dhe do kërkoj rihapjen e procesit të vetingut se nuk kam asgjë për të fshehur,” shkroi ai.

KPA nuk iu përgjigj deri në publikimin e këtij shkrimi pyetjes për koment lidhur me këtë vendimmarrje të gjykatës së Strasburgut.

Kolegji e gjeti të bazuar vendimin e KPK-së, i cili kishte vendosur në korrik 2018 shkarkimin e gjykatësit të Gjykatës së Lartë Shkëlzen Selimi, bazuar vetëm në kriterin e pastërtisë së figurës. KPK në vendimin e saj të korrikut tha se shkarkimi i Selimit vinte pasi ai u gjet me kontakte me persona të “përfshirë në krimin e organizuar” dhe se ai ishte “përpjekur t’i fshinte këto kontakte”. Selimi ishte i pari ndër gjykatësit që u përfshinë në rivlerësim i cili u shkarkua vetëm bazuar në kriterin e figurës. Në vendimin e arsyetuar të KPK u evidentua kontakti i Selimit me Arben Isufajn, një person i dënuar për trafik narkotikësh.

Ndaj Selimit filloi dhe një proces penal nga Struktura e Posaçme për fshehje pasurie, por pas disa vitesh hetim e gjykim, më 7 korrik ai u deklarua i pafajshëm.

Scroll to Top