Turizmi në Shqipëri rritet 60% nga Kosova në Tetor

Kosova “shpëton” turizmin në tetor, hyrjet u rritën me 60%

Tetori rezultoi me një rritje prej 19.3% të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri, duke sinjalizuar një rigjallërim të turizmit në vjeshtë. Megjithatë, duket se ata që kanë “shpëtuar” realisht turizmin janë shqiptarët nga Kosova.

Shifrat e hyrjeve sipas shteteve tregojnë se nga Kosova pati 306 mijë hyrje, çka përfaqëson një rritje prej 60% në krahasim me tetorin e vitit të kaluar. Përtej një kthimi në normalitet të turizmit patriotik në vjeshtë, një rol jo i vogël në këtë shifër ka luajtur edhe mbajtja në Tiranë e aktiviteteve të lidhura me Kosovën.

Më datë 17 tetor u mbajt një protestë mbarëkombëtare në mbështetje të liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me një proces gjyqësor në Gjykatën e Hagës. Kjo ngjarje solli në Tiranë mijëra shtetas nga Kosova, të cilët ishin të pranishëm në sheshin ku u mbajt protesta.

Kosova mban aktualisht 33.7% të totalit të hyrjeve të shtetasve të huaj në vend, duke mbetur kryesorja sa i përket prurjeve turistike. Në vend të dytë kanë vijuar të mbeten italianët, të cilët pas një zbehjeje gjatë muajve të verës, duket se janë rikthyer me rritje.

Tur operatorët tregojnë se rritja e çmimeve gjatë verës e bëri bregdetin shqiptar jo shumë tërheqës për këta turistë. Ndërkohë, ushqimi autentik dhe me çmim të arsyeshëm nxit ture kulturore në disa qytete. Agroturizmet dhe jeta dinamike e natës në Tiranë i kanë kthyer italianët në turistë që preferojnë Shqipërinë në çdo stinë.

Konkretisht në tetor, në vendin tonë hynë 98.7 mijë italianë, me një rritje prej 14.2% në krahasim me tetorin e një viti më parë. Italianët përbëjnë 10.9% të totalit të shtetasve të huaj që kanë hyrë në vend.

Maqedonia e Veriut, e cila rezulton e treta për nga pesha (me 7.4% të totalit), në fakt ka shënuar rënie të hyrjeve në muajin tetor, krahasuar me një vit më parë. Sipas shifrave, në muajin e 10-të të vitit pati 67 mijë hyrje nga ky shtet.

Tkurrje kanë pësuar edhe hyrjet nga Mali i Zi, ndërsa nga Greqia ka një rritje modeste prej 3.5%.

Shifrat e tjera të hyrjeve tregojnë përgjithësisht atë panoramë që ka vijuar për muaj, ku tregjet e Europës Perëndimore, si gjermanët apo francezët, po shënojnë rritje të vazhdueshme. Këta të fundit janë veçanërisht të interesuar për ture kulturore që zhvillohen gjatë pranverës dhe vjeshtës, edhe pse për herë të parë francezët pritet të vijnë të organizuar vitin tjetër edhe gjatë verës.

Gjatë tetorit, ka pasur një rënie të hyrjeve nga Polonia, Hungaria dhe Turqia, teksa në rritje janë tregjet si Izraeli, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Austria.

Në total, deri në fund të tetorit, në Shqipëri hynë 11.1 milionë turistë, me një rritje rreth 7% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. /Monitor.al

Scroll to Top