Guardiola pranon gabimin në Champions

Guardiola pranon gabimin e madh në Champions: “Duke parë rezultatin, ndoshta ishte shumë”

Pep Guardiola ka pranuar se ka gabuar duke bërë dhjetë ndryshime në formacionin e Manchester Cityt krahasuar me ndeshjen e fundit në kampionat, në sfidën kundër Bayer Leverkusen, të cilën skuadra e tij e humbi 2-0 në shtëpi.

“Çfarë u tha në dhomat e zhveshjeve? Kjo mbetet mes nesh. Unë marr përgjegjësinë e plotë. Ende mendoj se lojtarët që filluan ndeshjen janë të jashtëzakonshëm, por na mungoi diçka që nevojitet në nivelin më të lartë. Tani duhet të luftojmë për ndeshjet e ardhshme. Kundërshtarët ishin të mirë. Në përgjithësi bëmë edhe gjëra shumë të mira, patëm më shumë raste se ata, por ishin gjysmë-raste.”

Duke u pyetur rreth dhjetë ndryshimeve në formacion, Guardiola shtoi: “Duhet ta pranoj. Nëse do të fitonim, nuk do të ishte problem, kështu që duhet ta pranoj se ndoshta ishte shumë. Mendoj se duke luajtur çdo dy ose tre ditë duhen bërë ndryshime, por duke parë rezultatin, ndoshta ishte shumë.”

Lidhur me ndeshjen e ardhshme kundër Realit, ai tha: “Kemi kohë,”, u shpreh Guardiola për mediat pas sfidës.
PANORAMASPORT.AL

Scroll to Top