Trafik droge: Kanabisi shtohet, kokaina mbërrin në Durrës

Shifrat/ Kanabisi në Shqipëri u shtua, kokaina nga Amerika Latine mbërriti në Durrës

“Plantacione të vogla të shpërndara në zona veçanërisht të thepisura ose të vështira për t’u mbikëqyrur, për shembull në zonat përballë aeroportit të Rinasit.” Kjo fjali përshkruan përpjekjet e kultivuesve të kanabisit në Shqipëri, sipas raportit vjetor të Drejtorisë së Antidrogës në Itali për vitin 2025. Ky raport analizon kriminalitetin e organizuar në Itali dhe lidhjet e tij me rrjetet ndërkombëtare, duke e paraqitur Shqipërinë si një nyje funksionale të trafikut europian të drogës, e cila është në evoluim të vazhdueshëm.

Në vlerësimin për rolin e grupeve kriminale shqiptare, dokumenti është i drejtpërdrejtë. Guardia di Finanza shkruan se “kriminaliteti i prejardhjes shqiptare, gjatë viteve, ka evoluar strategjitë e veta drejt formave delinkuenciale më të kualifikuara, të karakterizuara nga transnacionaliteti”, duke i konsideruar organizatat shqiptare si aktorë të ngjashëm me strukturat mafioze italiane.

Raporti e konsolidon këtë panoramë duke u fokusuar te Shqipëria si territor prodhues i kanabisit. Vendi cilësohet si “një kryqëzim strategjik përgjatë rrugës ballkanike për trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike” dhe si “vend i prekur nga kultivimi i kanabisit për prodhimin e marijuanës, të destinuar si për tregun lokal, ashtu edhe për eksport drejt Bashkimit Europian”.

Në vitin 2024 u kryen 185 orë fluturimi për të identifikuar parcelat e kultivimit, të cilat më pas iu nënshtruan asgjësimit nga autoritetet shqiptare. Të dhënat e raportit tregojnë një rritje të vazhdueshme të kultivimit:

  • Në vitin 2018 u evidentuan 27 plantacione dhe u shkatërruan 675 bimë në 8 543 metra katrorë.
  • Pesë vjet më vonë, në vitin 2023, Guardia di Finanza raportoi 1 793 plantacione, 108 282 bimë të asgjësuara dhe 493 376 metra katrorë sipërfaqe të identifikuar. Kjo përbën një rritje prej rreth 66 herë më shumë plantacionesh, 160 herë më shumë bimësh dhe gati 58 herë më shumë sipërfaqe të kultivuar brenda pesë vjetëve.
  • Për vitin 2024 u konfirmuan 595 plantacione, ndërsa numri i bimëve të shkatërruara arriti në 109 104, duke shënuar një rritje prej 0.75 për qind krahasuar me vitin pararendës.

Kjo rritje ndodh ndërkohë që numri i misioneve dhe orëve të fluturimit mbetet pothuajse i qëndrueshëm, çka tregon se rrjetet kriminale po shpërndajnë kultivimin në forma më të fshehta dhe më të vështira për t’u goditur.

Dokumenti flet për një zhvendosje gjeografike të kultivimit nga jugut drejt pjesës qendrore dhe veriore të vendit, për hipotezën e delokalizimit të kultivimit në vendet fqinje dhe për të ashtuquajturin “efekt balonë”. Ky i fundit nënkupton orientimin e një pjese të grupeve kriminale shqiptare drejt heroinës dhe kokainës, të mbështetur nga disa sekuestrime të kohëve të fundit në portin e Durrësit.

Në raport, Shqipëria paraqitet njëherësh si terren kultivimi i kanabisit dhe si pikë kalimi për drogëra të forta, si heroina dhe kokaina. Organizatat shqiptare funksionojnë prej vitesh si “agjenci shërbimesh” për trafikun europian të drogës. Roli i tyre përshkruhet si i konsoliduar, transnacional dhe thellësisht i integruar në zinxhirin ndërkombëtar të furnizimit.

Sipas raportit, “organizatat kriminale shqiptare, duke u modeluar sipas sistemeve tipike të komponenteve mafioze, kanë fituar një peshë që u lejon të konsiderohen brokerë të besueshëm dhe të vëmendshëm”, duke i bërë ato aktorë kyç për grupet italiane dhe europiane. Këto struktura kanë ngritur një rrjet funksional me furnitorët e Amerikës Latine, gjë që i ka zhvendosur në një rol shumë më të rëndësishëm se më parë.

Raporti nënvizon se “formacionet shqiptare mbajnë kontakte të vazhdueshme me kartelët kolumbianë, për blerjen e sasive të mëdha të kokainës drejtpërdrejt në vendet e prodhimit”, duke krijuar një kanal të drejtpërdrejtë importi në Europë. Këto grupe, të pajisura me mjete komunikimi të koduara, operojnë përmes një strukture të fragmentuar me rrathë, ku bërthama drejtuese përbëhet zakonisht nga 2 ose 3 individë me lidhje familjare, ndërsa rrethi i dytë dhe i tretë përfshin bashkëpunëtorë nga rajone të ndryshme të Shqipërisë dhe komunitete të shpërndara në disa shtete europiane.

Raporti e lidh drejtpërdrejt rolin e grupeve shqiptare në trafikun e kokainës me portet kyçe të Europës Veriore, ku ata janë tashmë të pozicionuar në nivelet më të larta të logjistikës. “Shqiptarët kanë vendosur referentët e tyre në Spanjë, Mbretërinë e Bashkuar, Belgjikë, Holandë dhe Francë, ku menaxhojnë raportet me emisaret e grupeve sudamerikane dhe marrin pjesë në depozitimin e kokainës në portet holandeze dhe belge, e destinuar për tregun europian”, çka konfirmon rolin e tyre të dyfishtë si importues dhe shpërndarës.

Po aq i rëndësishëm është konstatimi i Guardia di Finanza për përdorimin gjithnjë e më të shpeshtë të territorit shqiptar si pikë tranziti për kokainën e ardhur nga Amerika Latine. Sipas raportit, “hipoteza e ‘efektit balonë’… gjen mbështetje në disa sekuestrime të kryera në portin e Durrësit, veçanërisht ngarkesa kokaine të ardhura nga vendet e Amerikës Latine brenda kontejnerëve”, duke përmendur rastet kur frutat ekzotike janë përdorur si mall kamuflimi.

Në këtë panoramë, raporti i Guardia di Finanza e vendos kriminalitetin shqiptar në një kategori më të avancuar të trafikut ndërkombëtar, me një prani të fortë në Italinë veriore dhe atë jugore, si dhe me aftësi të provuara bashkëpunimi me grupet historike mafioze të Puglias dhe ‘Ndranghetës.

Scroll to Top