Rusia e gatshme për bisedime serioze, delegacion amerikan pritet në Moskë
Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se Rusia është e gatshme për bisedime “serioze” dhe se një delegacion amerikan do të vizitojë Moskën javën e ardhshme.
Duke u shprehur nga Kirgistani, ku ndodhet për një vizitë zyrtare 3-ditore, Putin tha se janë paraqitur “një sërë pyetjesh për diskutim” lidhur me planin e paqes të ndërmjetësuar nga SHBA.
Sipas presidentit rus, Rusia është dakord që plani i presidentit amerikan Donald Trump të përdoret si bazë për marrëveshjet e ardhshme, por theksoi se siguria evropiane duhet gjithashtu të diskutohet.
Ai shtoi se Rusia e pranon që SHBA-të po marrin parasysh qëndrimin e saj, por këmbëngul se disa aspekte duhet të sqarohen më tej.
Putin e cilësoi “qesharake” idenë se Rusia ka plane agresive ndaj Evropës, duke theksuar se vendi i tij “nuk ka asnjë plan agresiv ndaj Evropës”.
