INSTAT publikon shifrat: Aksidentet u ulën me 16.5% në periudhën janar-tetor
INSTAT ka publikuar shifrat zyrtare, të cilat tregojnë një ulje të aksidenteve rrugore. Gjatë muajit tetor, aksidentet janë ulur me 18.3%, ndërsa për periudhën 10-mujore (janar-tetor), ulja arrin 16.5%.
Të dhënat paraprake të Institutit të Statistikave tregojnë se vetëm në tetor të vitit 2025 janë regjistruar 116 aksidente rrugore, nga të cilat kanë rezultuar 164 persona të aksidentuar (të vrarë dhe të plagosur).
Sipas njoftimit të INSTAT, “Gjatë periudhës Janar – Tetor 2025, numri i aksidenteve rrugore është ulur me 16,5%, krahasuar kjo me të njëjtën periudhë të një viti më parë”.
Në shumicën e rasteve, shkaku kryesor i aksidenteve duket të jetë sjellja e drejtuesve të mjeteve, ndërsa në disa raste kanë qenë edhe këmbësorët shkak.
Grupmosha më e prekur nga aksidentet e shkaktuara është ajo mes 24-35 vjeç.
INSTAT nënvizon:
- “Në muajin Tetor 2025, aksidentet rrugore, në 81.0% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve.”
- “Numri më i lartë i aksidenteve, në këtë periudhë, është shkaktuar nga grup-mosha 25-34 vjeç, e cila përbën 25.9% të numrit total të aksidenteve.”
- “Në muajin Tetor 2025, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur përgjatë ditës së Premte me 19.8%, ndërsa numri më i ulët i aksidenteve ka ndodhur përgjatë ditës së Martë me 8.6%.”
- “Numri më i lartë i aksidenteve rrugore, në muajin Tetor 2025, ka ndodhur përgjatë harkut kohor 08:00 – 12:00, duke zënë 25.0% të numrit të aksidenteve rrugore gjithsej.”
