Trump shpall urdhër të ri për bombarduesit B-2 dhe njofton operacione kundër trafikantëve të drogës në Venezuelë
Presidenti Donald Trump deklaroi të enjten gjatë një bisede telefonike me anëtarë të ushtrisë amerikane se administrata e tij ka porositur “shumë të tjerë” nga bombarduesit e fshehtë B-2, të cilët janë përdorur në sulmet kundër tre objekteve bërthamore iraniane gjatë verës.
“Këta bombardues të bukur B-2 kanë eliminuar plotësisht aftësinë bërthamore të Iranit,” tha Trump, duke përsëritur një pretendim që është kontestuar.
“Ne sapo porositëm shumë të tjerë, dhe arsyeja pse e bëmë këtë është sepse janë plotësisht të pabesueshëm, plotësisht të padukshëm,” shtoi ai.
Bombarduesit strategjikë subsonikë B-2 Spirit (Northop), me formë të veçantë dhe karakteristika që shmangin radarët, vlerësohet të kenë kushtuar rreth 740 milionë dollarë secili në kohën e prodhimit. Sipas informacionit të disponueshëm, nga 132 të planifikuar fillimisht për t’u ndërtuar, janë blerë dhe kanë hyrë në shërbim 21. Këta bombardues mund të transportojnë armë konvencionale dhe bërthamore.
Presidenti Trump nuk specifikoi numrin e saktë të bombarduesve të porositur.
Presidenti amerikan njoftoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do të fillojnë “shumë shpejt” të synojnë “trafikantët e drogës” në Venezuelë duke kryer operacione “në tokë”, jo vetëm në det.
“Ndoshta e keni vënë re se njerëzit nuk duan të trafikojnë (drogë) më nga deti, dhe ne do të fillojmë t’i ndalojmë ata edhe në tokë,” siguroi presidenti republikan gjatë një video-thirrjeje me personelin ushtarak amerikan, me rastin e festës së Falënderimeve, e cila u transmetua në televizion.
“Rrugët tokësore janë më të lehta, por do të fillojmë shumë shpejt,” shtoi ai.
Që nga fillimi i shtatorit, forcat e armatosura amerikane kanë ndërmarrë më shumë se 20 sulme kundër motoskafeve që, sipas Uashingtonit, transportonin drogë në Karaibe dhe Paqësorin lindor, duke vrarë të paktën 83 persona.
Uashingtoni dërgoi, ndër të tjera, aeroplanmbajtësen më të madhe në botë, USS Gerald Ford, me forcën e saj ajrore të sulmit, në Karaibe në mes të nëntorit, si pjesë e asaj që administrata Trump pretendon se është një operacion për të luftuar trafikimin e drogës.
Nga ana tjetër, Presidenti Venezuelan Nicolas Maduro i sheh këto veprime si një pretekst për një operacion amerikan me qëllim përmbysjen e qeverisë së tij dhe sekuestrimin e fushave të naftës në vend.
Trump ka miratuar operacione sekrete të CIA-s në Venezuelë dhe nuk përjashton një operacion ushtarak, megjithëse në të njëjtën kohë siguron se ka ndërmend të diskutojë me Maduron.
