Ervin Salianji mbledh për 3 orë më të votuarit e primareve dhe të listave të hapura të PD-së në 11 maj
Një tryezë e veçantë, që zgjati rreth tre orë, mblodhi sot emrat më të votuar të Partisë Demokratike, si nga listat e hapura ashtu edhe kryesuesit e primareve, në një diskutim të hapur mbi të ardhmen e partisë.
Ish-deputeti Ervin Salianji thirri një takim ku ishin të pranishëm:
- Ilir Alimehmeti (më i votuari në Qarkun Tiranë)
- Hysen Kadiu (më i votuari në primare)
- Aulon Kalaja (më i votuari në listën e hapur të Durrësit)
- Gent Cela (Qarku Fier)
- Qani Xhafa (Qarku Elbasan)
- Ted Kopliku (Qarku Shkodër)
- Xhemal Gjunkshi (Qarku Dibër)
- Alma Kore (Qarku Gjirokastër)
- Pardid Mahmutaj (Qarku Berat)
- Nada Daullja (Qarku Vlorë)
- si dhe një sërë kandidatesh të votuara dhe fitues të primareve.
Sipas burimeve nga takimi, qëllimi kryesor ishte dëgjimi i mendimeve dhe eksperiencës së fituesve për të nxjerrë zgjidhjet më të mira për PD-në në këtë moment të rëndësishëm politik. Diskutimet u fokusuan mbi rikthimin e ADN-së fituese të partisë, promovimin e meritokracisë, hapjen e strukturave dhe forcimin e besimit qytetar.
Ky takim shihet si një hap i rëndësishëm drejt rifreskimit të frymës dhe modelit organizativ të PD-së, duke vënë në qendër zërin e qytetarëve dhe votuesve që kanë besuar tek kandidatët më të votuar.
“Rikthimi te ADN-ja fituese, meritokracia, hapja dhe besimi qytetar janë shtyllat mbi të cilat duhet të ndërtojmë të ardhmen e partisë,” thanë burimet nga takimi. Ky moment nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit dhe dëgjimit të njerëzve që kanë marrë vota reale, duke u shndërruar në një mesazh pozitiv për demokratët dhe elektoratin e PD-së.
