Shqiptari i arrestuar në Greqi për trafik kokaine ndërkombëtar

Trafik kokaine nga Ekuadori në Rusi, arrestohet shqiptari në Greqi

Një 39-vjeçar shqiptar u arrestua sot në Athinë, Greqi. Ai kërkohej nga autoritetet belge përmes një Njoftimi të Kuq të Interpolit, për trafik droge nga Ekuadori në Evropë dhe më pas drejt Rusisë.

I njohur me inicialet H.O., 39-vjeçari akuzohet si udhëheqës i grupit kriminal, ndërsa emri i tij nuk është bërë publik ende. Rrjeti kriminal, i cili transportonte kontejnerë plot me drogë, u zbulua falë përgjimeve telefonike.

Sipas dokumenteve të prokurorisë belge, grupi dyshohet se trafikonte sasi kokaine nga Ekuadori. Raporti belg përshkruan takime, lëvizje dhe sinjale telefonike që regjistrojnë aktivitetin e anëtarëve të organizatës në Antverp, si dhe rrugët nga porti drejt deponive ku kontejnerët “hapeshin”. Autoritetet belge lidhin 39-vjeçarin me lëvizje midis Belgjikës, Spanjës, Greqisë dhe Shqipërisë, mbikëqyrjen e apartamenteve dhe kontaktet me persona që dyshohet se organizojnë transportin dhe shkarkimin e kontejnerëve.

Arrestimi i tij në Athinë çoi në aktivizimin e menjëhershëm të Belgjikës, e cila lëshoi Urdhrin Europian të Arrestit. Ky arrestim konsiderohet si një nga më të rëndësishmet në rastet e drogës në Evropë, pasi për herë të parë lidh në një strukturë kriminale kaq shumë vende dhe rrugë të ndryshme: Ekuador – Belgjikë – Spanjë – Greqi – Shqipëri – Rusi.

Ky nuk është një operacion trafikimi “lokal”, por një mekanizëm ndërkombëtar që, sipas urdhrit belg, përdori logjistikë globale, porte në kontinente të shumta dhe qarqe të Amerikës Latine për të transportuar ngarkesa të vlerësuara në mijëra kilogramë.

Arrestimi i shtetasit shqiptar në Athinë konsiderohet vendimtar jo vetëm për hetimin belg, por edhe për reagimin evropian ndaj rrjeteve të organizuara që lidhin brigjet jugore, portet veriore dhe tregjet lindore në një sistem të vetëm dhe të fshehtë trafikimi.

Policia greke deklaroi: “Një shtetas i huaj 39-vjeçar u arrestua më 19.11.2025 nga oficerët e Nën-Drejtorisë së Narkotikëve. Ndaj tij ishte lëshuar një Urdhër Arresti Evropian nga autoritetet belge për përfshirje në një organizatë kriminale me bazë në Belgjikë, e cila dyshohet se importon sasi të mëdha kokaine nga Amerika e Jugut në Evropë dhe merret me kultivimin e kanabisit si dhe krijimin e impianteve të përpunimit të drogës jashtë vendit. Arrestimi lidhet me sekuestrimin e një kontejneri në portin e Antverpit në shtator 2024, i cili përmbante 500 kg kokainë. I arrestuari u dërgua në Prokurorinë kompetente dhe hetimet vazhdojnë.”

Mbrojtjen e shqiptarit e ka marrë përsipër avokati i njohur grek, Sakis Kechagioglou, i cili deklaroi: “Kemi të bëjmë me një nga rastet më komplekse të trafikut ndërkombëtar të kokainës të viteve të fundit. Ngarkesa prej 1.200 kg ndoqi një rrugë transnacionale nga Ekuadori drejt porteve evropiane, përfshirë Antverpin, Greqinë dhe Shqipërinë, me degëzime deri në Rusi. Zgjedhja e juridiksionit është mjeti kryesor që do të përcaktojë fatin penal të klientit tim.”

Scroll to Top