Rama: Përgjigjet e Ballukut, sfidë ndaj pushteteve

Rama shprehet gjerësisht për pezullimin e Ballukut

Kryeministri Edi Rama, në vazhdim të podcastit “Flasim”, ka komentuar çështjen e pezullimit nga detyra të zv/kryeministres dhe ministre të Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Ai mbështeti qëndrimet e Komisionit të Venecias dhe Gjykatës Europiane të Strasburgut, duke theksuar se gjyqësori nuk ka kompetencë të ndërhyjë në përbërjen e ekzekutivit.

Sipas tij, një ndërhyrje e tillë përbën shkelje të balancës së pushteteve, cenim të vullnetit demokratik dhe një rrezik serioz institucional, pa precedent jo vetëm në Europë, por kudo.

Rama nënvizoi se:

  • Sipas Komisionit të Venecias dhe Gjykatës së Strasburgut, gjyqësori nuk duhet të pezullojë ministra.
  • Në standardet europiane, ky veprim është:
    • joproporcional në thelb
    • antidemokratik në frymë
    • antikushtetues në përmbajtje
    • nënçmim i ekzekutivit
    • kërcënim i paprekshmërisë së vullnetit demokratik
    • në kundërshtim me ndarjen e pushteteve
    • në kundërshtim me standardet e Komisionit të Venecias
    • në kundërshtim me jurisprudencën e Gjykatës Europiane të Strasburgut

Kryeministri e cilësoi konceptin e pezullimit të një ministri si absurd. Ai shpjegoi se pezullimi i një ministri nuk do të thotë të pezullosh thjesht një individ, por një autoritet me fuqi ekskluzive vendimmarrëse në një apo më shumë sektorë. Kjo pamundëson përfaqësimin e ministrisë përkatëse në Këshillin e Ministrave dhe propozimin e vendimeve për ecurinë e sektorit.

“Kjo është një nonsens absolut. Prandaj, ministri ose rri në detyrë, ose largohet nga detyra me dorëheqje, nga Kryeministri, apo in extremis me dënim të formës së prerë sipas ligjit. Tjetër nuk ka. Prokuroritë dhe Gjykatat nuk hyjnë fare në këtë mes dhe nuk e bëjnë kurrësesi këtë. Asnjëherë. Askund në Europë,” theksoi Rama.

Ai shtoi se nëse Shqipëria do të hynte në historinë e drejtësisë europiane me një shpikje të tillë, kjo do të ishte një shfaqje e papjekurisë demokratike dhe institucionale. Ai shprehu shpresën që Gjykata Kushtetuese t’i kursejë Shqipërisë një gjë të tillë.

Scroll to Top