PD: Alimehmeti kritikon Berishën për distancën me bazën

Alimehmeti: Sali Berishës nuk i thuhen të gjitha; zgjedhjet e brendshme nuk duhet të bëhen me lista fiktive

Ilir Alimehmeti, një nga anëtarët më të votuar të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 11 majit, ka folur hapur për situatën aktuale brenda partisë. Sipas tij, ekziston një distancë e thellë midis lidershipit dhe bazës së PD-së.

I ftuar në emisionin “Studio 24” në News24, Alimehmeti theksoi se që nga zgjedhjet e 11 majit nuk janë zhvilluar takime me bazën. Ai ka ngritur këtë shqetësim edhe pranë kryetarit të PD-së, Sali Berisha, i cili ka lajmëruar fillimin e takimeve me strukturat për këtë të martë.

“Berisha duhet të vendosë më shumë kontakt me strukturat, sepse ka një shtresë tampon që nuk ja përcjell shqetësimet e bazës, ia thonë me koeficientë. Kur ai shkon në bazë, e merr më të plotë, por ka njerëz që nuk ja thonë të vërtetat e plota. Gjithë kjo shtresë midis kryetarit dhe pjesës tjetër nuk funksionon”, – deklaroi Ilir Alimehmeti.

Alimehmeti shtoi se shumë të deleguar të PD-së në qarqe dhe delegatë nuk arrijnë të mbledhin njerëzit.

“Shumë mirë që zbret në strukturat, dhe unë personalisht këtë i kam thënë, që duhet zbritur. Pse nuk e bëjnë të deleguarit e tij në qarqe, por e bën ai? Ai ndoshta zbret, por ata të tjerët nuk e di nëse i presin. Ndaj detyrohet ta bëjë kryetari i partisë”, – tha Alimehmeti.

Ai vlerësoi pozitivisht vendimin e Berishës për të takuar strukturat, duke theksuar:

“Unë kam thënë se ka një distancë shumë të madhe midis drejtuesve të PD dhe bazës. Ka një largim, këta dhe këta janë në linja komplet të ndryshme. Njerëzit brenda PD, drejtimi dhe baza janë shumë larg. Shumë mirë që Berisha do të shkojë të takojë strukturat.”

Alimehmeti deklaroi se nëse PD nuk garanton zbatimin e tre parimeve me të cilat bashkoi opozitën e përçarë, nuk mund të jetë alternativë qeverisëse.

“Është e rëndësishme transparenca dhe demokracia e brendshme. Brenda muajit të gjitha forumet, nga i ulëti deri tek i larti do shkojnë në zgjedhje. Për këtë, duhet demokracia e transparenca, duhen të dalin njerëzit. Nuk është se po thua dil ti, dhe e vendos ti, duhet të kenë kurajo e ambicie. Duhet të kenë vizionin, por zgjedhjet e brendshme nuk duhet të bëhen me lista fiktive. Procesi duhet të garantohet nga drejtuesit e lartë të partisë, nëse kjo ndodh, PD kthehet shumë shpejt në alternativë qeverisëse”, – përfundoi Alimehmeti.

Scroll to Top