Mbeturinat shqiptare në plazhet e Dubrovnikut shqetësojnë

Mediat greke: Mbeturinat shqiptare përmbytën plazhet kroate

Rrymat e forta në detin Adriatik kanë sjellë një sasi të konsiderueshme mbeturinash, kryesisht nga Shqipëria, në bregdetin e Dubrovnikut në Kroaci, duke ngritur shqetësim tek autoritetet lokale.

Dy nga plazhet më të njohura të qytetit, Plazhi i Banjës dhe Qyteti i Vjetër, u mbuluan javën e kaluar nga sasi të mëdha mbeturinash të sjella nga deti. Për pastrimin e vijës bregdetare nga plastika, metalet dhe mbetjet mjekësore u deshën 2-3 ditë.

Bazuar në etiketat dhe materialet e gjetura, shumica e mbeturinave janë nga Shqipëria, sipas autoriteteve lokale që organizuan një fushatë pastrimi. Meqenëse Adriatiku është një det i mbyllur, rrymat e tij të paparashikueshme ndikojnë në drejtimin e mbeturinave.

Ky problem nuk është i ri. Sipas një raportimi të mëparshëm, për vite me radhë, erërat jugore në Adriatik kanë sjellë ton mbeturina në bregdetin e Dubrovnikut. Vendasit kanë raportuar edhe gjetjen e kafshëve të ngordhura. Plastika, në veçanti, është një problematikë serioze për qytetin, i cili ka 42.000 banorë dhe regjistron 4.5 milionë netë qëndrime turistike në vit. Në vitin 2020, Dubrovniku u angazhua zyrtarisht për reduktimin e mbeturinave plastike.

Ndërkohë, Kroacia thekson se është në dialog të vazhdueshëm me Shqipërinë, pasi “e dimë se nga vijnë mbeturinat”. Ministria e Jashtme kroate ka ofruar edhe ndihmë financiare për menaxhimin e mbeturinave në Shqipëri.

Autoritetet kroate shtojnë: “Ne shohim vetëm atë që lundron, por një përqindje shqetësuese, e madhe, fundoset dhe mbetet në fund.”

Scroll to Top