Pezullimi i Ballukut: Gjykata Kushtetuese vendos sot për ankimimin e qeverisë
Gjykata Kushtetuese do të mblidhet sot për të shqyrtuar ankimimin e qeverisë kundër vendimit të GJKKO-së për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut si ministre dhe zëvendës kryeministre. Vendimi, i cili ishte planifikuar të merrej disa ditë më parë, u shty për më 2 dhjetor.
Më së pari, pritet që Gjykata Kushtetuese t’i japë një përgjigje kërkesës së kryeministrit Rama, i cili synon rikthimin e Belinda Ballukut në detyrë dhe rrëzimin e vendimit të pezullimit.
Këshilli i Ministrave ka ankimuar vendimin e Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë. Sipas kryeministrit Rama, ky vendim ndërhyn drejtpërdrejtë në kompetencat e tre organeve të shtetit: kryeministrit, Presidentit dhe Kuvendit.
Gjykata e Posaçme pezulloi nga detyra zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke i ndaluar gjithashtu të drejtën për të dalë jashtë vendit. Ajo është marrë pandehur lidhur me procedurat në tenderin e tunelit të Llogarasë dhe është nën hetim për tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe. Në të dyja rastet dyshohet se fituesi është paracaktuar.
Prokuroria e posaçme ka njoftuar se po heton gjithashtu një sërë procedurash të tjera prokurimi.
