Dhunohet rëndë një person në Lezhë
Një person me iniciale P.P. është dhunuar rëndë mbrëmjen e së martës në Lezhë.
Ngjarja ka ndodhur në afërsi të një pike karburanti, në aksin rrugor Lezhë – Rrilë. Personi në fjalë është nxjerrë me forcë nga automjeti me të cilin udhëtonte dhe më pas është goditur me mjete të forta nga autorët.
I plagosuri është transportuar fillimisht në urgjencën e Spitalit të Lezhës, ku ka marrë ndihmën e parë. Më pas, për shkak të gjendjes së tij të rënduar, është dërguar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.
Vetë i riu ka thënë se nuk i njihte autorët.
“Rreth orës 17:40, në vendin e quajtur pranë “Kryqëzimit të Rrilës”, Lezhë, disa shtetas ende të paidentifikuar kanë goditur me mjete të forta shtetasin P. P., rreth 35 vjeç. Ky shtetas është transportuar në Spitalin e Traumës, Tiranë, për ndihmë më të specializuar dhe, paraprakisht, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.
