Trump: Vende droge drejt SHBA mund te sulmohen ushtarakisht

Trump: Çdo vend që trafikon drogë në SHBA mund të sulmohet

Presidenti Donald Trump deklaroi të martën se çdo vend që trafikonte drogë ilegalisht drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës mund të ishte shënjestër e sulmeve.

“Kushdo që e bën këtë dhe e shet atë në vendin tonë, është subjekt i sulmit”, u shpreh Trump gazetarëve gjatë një takimi të kabinetit në Shtëpinë e Bardhë, duke ngritur si shembull çështjen e kokainës nga Kolumbia.

Presidenti kolumbian Gustavo Petro iu kundërpërgjigj Trump nëpërmjet një postimi në platformën X, duke argumentuar se Kolumbia shkatërron një laborator prodhimi droge çdo 40 minuta – “pa pasur nevojë për raketa”.

Trump ka nisur një ofensivë kundër anijeve të dyshuara për trafik droge në Karaibe dhe Paqësor në muajt e fundit, duke kryer sulme me raketa të synuara që kanë rezultuar në vdekjen e dhjetëra personave. Forcat ushtarake amerikane janë dislokuar në Karaibe, duke rritur tensionet midis Trump dhe Nicolas Maduro, presidentit të Venezuelës, vend ky i cili kufizohet me Kolumbinë.

Administrata Trump pretendon se Maduro luan një rol kyç në furnizimin me drogë të paligjshme që kanë shkaktuar vdekje në SHBA, akuzë të cilën Maduro e ka mohuar.

Kohët e fundit, Trump ka sinjalizuar mundësinë e ndërhyrjes ushtarake amerikane në Venezuelë. Të martën, Trump u tha gazetarëve se çdo vend që dërgonte drogë të paligjshme në SHBA mund të ishte subjekt i sulmeve tokësore, duke theksuar se ky veprim nuk kufizohej “vetëm në Venezuelë”.

“Kam dëgjuar se vendi i Kolumbisë po prodhon kokainë, ata kanë fabrika prodhimi kokaine dhe pastaj na shesin kokainën e tyre”, tha Trump.

Petro, i cili është sanksionuar personalisht nga administrata Trump, e ka ftuar Trumpin të marrë pjesë në ofensivën kombëtare kundër drogës, por me një paralajmërim. “Mos e kërcënoni sovranitetin tonë, ose do të zgjoni Jaguarin”, tha Petro, duke shtuar se “sulmi ndaj sovranitetit tonë është shpallje lufte”.

Scroll to Top