Taulant Balla dhe Agron Shehaj shkëmbejnë akuza të forta në Kuvend
Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, u përfshi në një debat të ashpër në Kuvend me kreun e Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj. Shehaj akuzoi qeverinë se po mbron ministren Belinda Balluku, e cila, sipas tij, është e pandehur nga SPAK. Ai kërkoi interpelancë me kryeministrin Rama dhe iu drejtua Ballës, duke thënë: “Del Taulant Balla dhe thotë: ‘Pyesni ChatGPT’. Taulant Balla thotë që s’flet keq për gjykatësit dhe prokurorët. S’ia mban Taulantit. E keni të kotë. Ky është një ndryshim historik.”
Në kundërpërgjigje, Balla i tha Shehajt se duhet të lajë gojën para se të përmendë emrin e tij dhe të bëjë kujdes, pasi Lulzim Basha mund të zbulojë shumën e parave që ka paguar Shehaj për të fituar mandatin në vitin 2017.
“Për t’u bërë interesant për rrjetin social, vjen bërtet dhe kujton se është interesant. Kur të përmendësh emrin tim, laj gojë. Por bëj gargare me ujë të kripur Vlorë. Sepse po u pendua Lul Basha do tregojë se sa para ke dhënë për të marrë mandatin,” tha Balla.
Shehaj nga ana e tij, duke folur nga foltorja e Kuvendit, iu kundërpërgjigj Ballës, duke theksuar se ai përdor gjuhë si në vitet ’90.
“Taulant Balla bëri një shfaqje sot dhe me një gjuhë të viteve ’90, mendonte se do ia dilte. Pasi ofendoi gjuhë bajate, e shpërndau në të gjitha mediat. S’pata kohë të dilja jashtë, hapa telefonin dhe ishte në të gjitha mediat. Taulant Balla shan Agron Shehajn. Se më shau mua Taulant Balla dhe unë do të shqetësohem. Ai është i shqetësuar Balla se dje prokurori që i mbylli atij dosjen, në Apel u vendos që të hapej çështje sërish. Dhe ndaj u shqetësua. Nuk e di ku e gjen kurajon Balla të vijë këtu dhe të më sulmojë mua?! Zonja kryetare, ju nuk ju bëjnë përshtypje këto emra? Po mbroni të korruptuarit?!”, tha Shehaj.
