Berisha: Gjykata Kushtetuese nën presion të jashtëzakonshëm
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se ministrja Belinda Balluku duhet të ishte arrestuar prej kohësh, pasi sipas tij, provat po shkatërrohen ditë e natë. Ai shtoi se Gjykata Kushtetuese ndodhet nën një presion të jashtëzakonshëm.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Berisha u shpreh se Balluku ka administruar 12 miliardë euro, nga të cilat 10.3 miliardë janë zhdukur, dhe se arrestimi do të ishte veprimi më i drejtë.
“Ja ku e keni rrugën e Qafë Plloçës, ja ku i keni veprat. Shikoni rrugën e Ersekës. Shikoni rrugën e Arbrit,” theksoi Berisha, duke iu referuar projekteve të ndërtimit.
Ai vijoi duke thënë se përballë këtyre skandaleve, vjedhjeve të mëdha dhe shkatërrimit të pasurisë kombëtare, ekonomia po përkeqësohet. Sipas tij, për herë të parë në 32 vite, ekonomia mbështetet nga kontributi i shtetit, jo nga vetë ekonomia, e cila kontribuon vetëm 49% të rritjes ekonomike, pasi është në rënie të lirë, e shkatërruar nga droga dhe vjedhja.
“Dhe tani, forca e ekzekutivit kundër pezullimit, në një kohë kur ajo duhet të ishte prej kohësh e arrestuar sepse po prishin provat ditë e natë. Sepse po zhdukin dokumentet ditë e natë. Ka administruar 12 miliardë euro, nga të cilat absolutisht 10.3 miliardë janë zhdukur pa gjurmë,” nënvizoi Berisha.
Ai përmendi sërish projektet rrugore si shembuj të problemeve të evidentuara. “Pra, para të gjitha këtyre, Gjykata Kushtetuese, në një diktat të plotë dhe në presion të jashtëzakonshëm, në vend që të hedhë poshtë shqyrtimin, siç hodhi poshtë shqyrtimin e 30 deputetëve, nuk e legjitimoi duke shkelur Kushtetutën, duke mos hedhur poshtë shqyrtimin e një mase të ligjshme që është e zakonshme në Europë dhe kudo,” përfundoi ai.
