Federica Mogherini, ish-përfaqësuese e lartë e Bashkimit Europian për Çështjet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, një mbështetëse e njohur e Reformës në Drejtësi dhe procesit të vettingut në Shqipëri, ka dhënë dorëheqjen menjëherë pasi u përfshi në një hetim për mashtrim dhe favorizim në tenderë të lidhur me BE-në.
Në një deklaratë të shkurtër, Mogherini u shpreh se po largohej nga posti për “integritet” dhe “rregull”, si dhe për të mos cënuar institucionin që drejonte, Kolegjin e Evropës, pas dyshimeve se një tender me vlerë miliona euro për trajnimin e diplomatëve europianë ishte favorizuar në mënyrë të paligjshme.
Mogherini, e cila për vite me radhë u portretizua nga qeveria shqiptare si “garanci e reformës shqiptare”, mbështeti publikisht kryeministrin Edi Rama në shumë sfida politike dhe e cilësoi Shqipërinë si një “histori suksesi në drejtësi”. Ajo gjithashtu ishte promotore e tezës së shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, një ide që përputhej me interesat e Ramës në atë periudhë.
Ndryshe nga situata në Shqipëri, ku ish-shefja e diplomacisë së BE-së u tërhoq menjëherë pasi u përfshi në një hetim zyrtar, Belinda Balluku, zv/kryeministre e cila është marrë e pandehur nga SPAK për manipulim të tenderëve me vlerë 210 milionë euro, jo vetëm që nuk jep dorëheqjen, por mbron pozicionin e saj me mbështetjen e kryeministrit.
Edi Rama ka sulmuar gjyqtarë, prokurorë, SPAK-un dhe Gjykatën e Lartë të Kasacionit me qëllim pengimin e pezullimit të saj nga detyra, duke e çuar çështjen deri në Gjykatën Kushtetuese për rikthimin e saj në pozicion.
Ndërkohë që Mogherini, në Bruksel, deklaron: “Dorëhiqem që institucioni të mos dëmtohet.” Në Tiranë, Balluku duket se nuk e ka menduar kurrë një gjë të tillë, ndërsa Rama po krijon teori për grushte shteti antikushtetuese.
Ky kontrast, sipas artikullit, tregon më shumë sesa një dallim kulturor. Ai tregon mungesën totale të standardeve minimale të përgjegjësisë politike në Shqipëri. Në BE, dorëheqja konsiderohet si një detyrim, ndërsa në Shqipëri, sidomos kur bëhet fjalë për persona të afërt me kryeministrin, ajo shihet si tabu. Ky fenomen përkufizohet si diferenca më e qartë mes Europës drejt së cilës synojmë dhe Shqipërisë që kemi aktualisht.
