Vdes 15-vjeçari i plagosur me thikë në Durrës

Ndërron jetë 15-vjeçari i plagosur me thikë në Durrës

Mjekët e Spitalit të Traumës njoftuan sot pasdite se 15-vjeçari Erjon Boba, i cili u plagos me thikë në gjoks një javë më parë, nuk ia doli të mbijetojë.

Adoleshenti u plagos në Durrës nga një bashkëmoshatar 14-vjeçar. Sipas të dhënave, ngjarja ndodhi pasi viktima i kishte kërkuar shpjegime autorit për shkaqet e ofendimeve në rrjetet sociale.

Erjon Boba ishte nxënës i shkollës “Dom Nikollë Kaçorri” në Durrës. Thika i kishte prekur zemrën.

Burime policore thanë se konflikti filloi pas një komenti në rrjetet sociale dhe ofendimeve të vazhdueshme në shkollë, të cilat më pas kulmuan me plagosjen me thikë.

Dyshohet se 15-vjeçari i plagosur e kishte marrë në telefon autorin 14-vjeçar për të kërkuar sqarime, pasi kishte dëgjuar se ai e shante vazhdimisht në shkollë.

Autori është arrestuar nga policia, ndërsa personat e tjerë të përfshirë kanë dhënë dëshmi në prani të psikologut.

Scroll to Top