Euro bie ndaj lekut: Niveli më i ulët historik

Kursi i këmbimit: Euro bie ndaj lekut, arrihet nivel historik më i ulët

Me hyrjen në muajin dhjetor dhe afrimin e festave të fundvitit, si dhe dërgimin e më shumë remitancave nga emigrantët drejt familjeve në Shqipëri, euro ka arritur nivelin më të ulët historik krahasuar me lekun. Aktualisht, sipas të dhënave nga tregu, 1 euro këmbehet për 96.57 lekë, ndërkohë që një vit më parë kjo shifër ishte 98.32 lekë.

Analistët parashikojnë që kjo tendencë do të vazhdojë edhe gjatë periudhës që afrohet fundviti.

“Vlerat pozitive për investimet e huaja direkte dhe remitancat mund të ndikojnë në kursin e këmbimit, por trendi i zhvlerësimit të euros kundrejt lekut nuk po ndjek këto lëvizje. Ky nuk është një fenomen sezonal apo i përkohshëm, por një kurs stabil i stacionuar”, thekson eksperti i ekonomisë, Igli Tola.

Për të frenuar rënien e mëtejshme të euros dhe për të ruajtur qëndrueshmërinë e saj, Banka e Shqipërisë ka tërhequr nga tregu 800 milionë euro deri në muajin shtator, ndërkohë që gjatë gjithë vitit 2024 janë tërhequr gjithsej 933 milionë euro.

Situata ka pasur ndikim të ndjeshëm në sektorët më të prekur nga zhvlerësimi i monedhës. “Një zhvlerësim i monedhës vendase e bën produktin vendas më pak atraktiv për eksport. Nuk kemi parë një rënie të çmimeve në tregun e shumicës apo pakicës si rezultat i kursit të këmbimit, por në këtë ndikojnë edhe faktorë të tjerë, si tarifat doganore dhe kostot e prodhimit”, shton Tola.

Institucionet ndërkombëtare këshillojnë Bankën e Shqipërisë që të lejojë një kurs më të lirë këmbimi dhe të pakësojë ndërhyrjet në treg.

Scroll to Top