Interi synon sigurimin e kualifikimit, Kivu ka ende dyshime për formacionin ndaj Liverpulit
Pas humbjes së thellë në Madrid kundër skuadrës së Diego Simeones, Interi i trajnerit Christian Kivu kërkon menjëherë të kthehet te fitorja në Ligën e Kampionëve. Të martën në mbrëmje, në një stadium “San Siro” të tejmbushur, zikaltërit presin Liverpulin, një skuadër e madhe europiane, por e cila aktualisht po përballet me tensione të brendshme, madje me trajnerin Slot në rrezik shkarkimi.
Kivu nuk e përqendron vëmendjen te kundërshtari; qëllimi është i qartë: të sigurohet sa më shpejt kualifikimi në fazën e 1/8-ave të finales.
Interi krenohet me një ecuri prej 18 ndeshjesh radhazi pa humbje në shtëpi në Ligën e Kampionëve, megjithëse përballja e fundit me “Reds” në Milano (shkurt 2022) përfundoi me rezultatin 0-2.
Në formacion mund të mungojë Akanji, i cili është prekur nga gripi; në vend të tij pritet të luajë Bisseck, me Acerbi dhe Bastoni në mbrojtje. Në krahun e majtë, Carlos Augusto konkurron me Luis Henrique, ndërsa Mkhitaryan pritet të rikthehet si titullar në mesfushë.
Në sulm, Bisseck pret shansin e tij, por Kivu konfirmon sërish dyshen Thuram-Lautaro. Lautaro Martinez, autor i tetë golave në pesë ndeshje të Champions League në “San Siro” këtë vit, kërkon të ndjekë gjurmët e Shevchenkos në rekordin e golave të shënuar në shtëpi.
