Ambasada e BE-së reagon për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, do të marrë pjesë nesër në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), ku do të zgjidhet edhe kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Përfaqësia e BE-së në Tiranë bëri të ditur se ambasadori Gonzato zhvilloi sot një takim të përbashkët mes Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe KLP-së.
Ambasadori Gonzato shprehu besimin se KLP do të tregojë një nivel të lartë përgjegjshmërie në zgjedhjen e pasuesit të Altin Dumanit në krye të SPAK.
Reagimi i Përfaqësisë së BE-së në Tiranë:
Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, foli në takimin e sotëm të përbashkët mes KLGJ-së dhe KLP-së, ku u diskutuan mënyra për rritjen e efikasitetit, cilësisë dhe integritetit në sistemin e drejtësisë.
Ai theksoi dy çështje kyçe për gjyqësorin:
- Vlerësime realisht transparente.
- Përcaktimi i qartë i përgjegjësive dhe standardeve të sigurisë në gjykata.
Në prag të zgjedhjes së nesërme të kreut të ri të SPAK, ku ambasadori Gonzato do të jetë i pranishëm së bashku me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së, ai shprehu besimin se anëtarët e KLP-së do të demonstrojnë nivelin më të lartë të përgjegjshmërisë. Ai shtoi se duhet të sigurohet që Prokuroria e Posaçme të drejtohet nga një person me integritet të padiskutueshëm, i pavarur, profesionist dhe i përkushtuar ndaj standardeve më të larta të BE-së.
