Mbrojtja e Drejtësisë: Tryezë e Partisë Mundësia

Tryeza e Shehajt: Të kalojmë përtej partive për të mbrojtur drejtësinë nga sulmet politike

Partia Mundësia organizoi sot një tryezë të hapur për mbrojtjen e drejtësisë në luftën e saj kundër korrupsionit. Në tryezë morën pjesë anëtarë të shoqërisë civile, si dhe politikanë opozitarë, mes tyre Lutfi Dervishi, Agim Baçi, Ola Xama, Klodiana Lala, Rezarta Çaushaj, Aulon Kalaja, Ermal Mulosmani dhe të tjerë.

Agron Shehaj theksoi se qytetarët nuk e kanë humbur frymën opozitare, por kërkojnë besueshmëri nga aktorët politikë që janë kundër qeverisë. Ai deklaroi se edhe politikanë aktualisht në detyrë janë nën hetim nga drejtësia, prandaj kjo e fundit po përballet me sulme nga pushteti, i cili kërkon të minojë punën e saj.

Sipas kreut të Partisë Mundësia, qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi dhe shkëmbimi i mendimeve për mënyrat se si shoqëria, përtej partive politike, mund t’i dalë në mbrojtje drejtësisë.

Agron Shehaj u shpreh: “Arsyeja pse jemi mbledhur këtu është se, ndërkohë që shoqëria shqiptare shikon dritë në fund të tunelit, ne po dëshmojmë një sulm të paprecedent ndaj drejtësisë dhe një reagim të partive opozitare që nuk ka ngjallur ende një përgjigje tek qytetarët. Na lind pyetja se çfarë po ndodh, a duan që të na vjedhin?! Ne perceptojmë çdo ditë mbështetje të jashtëzakonshme për drejtësinë, por nuk shohim mbështetje për alternativën politike, për opozitën.

Disa thonë se partitë duhet të bashkohen. Unë nuk besoj se kjo mjafton. Duhet një bashkim përtej partive politike, sepse mendoj se njerëzit do dalin në rrugë në mbrojtje të drejtësisë vetëm ditën kur ajo do të drejtohet nga subjekte që kanë besueshmëri. Nuk mjafton të jesh opozitar, duhet të kesh besueshmëri. Kjo është ajo që mendoj se duhet të fitojmë te qytetarët.

Dua të shpjegoj arsyen e kësaj tryeze. Për shumicën prej jush, nuk është e lehtë të vini në një tryezë. Keni sërish sikletin të jeni në një tryezë ku ka politikanë. Nuk dua të zgjatem shumë. E kotë të flasim për kërcënimet nga të gjitha anët ndaj drejtësisë. Jam i bindur se jemi vetëm në fillim, edhe përsa i përket luftës ndaj drejtësisë. Është gjithashtu fillimi i reagimit të politikës ndaj drejtësisë. Do të përdorin parlamentin për të ndryshuar kushtetutën.

Qëllimi i këtij takimi është të diskutojmë, të shkëmbejmë mendime se si ta mbrojmë këtë drejtësi. Kam rezerva, por flasim për një drejtësi që më në fund ekziston. Kjo që shohim sot nuk e kishim imagjinuar kurrë se mund të ndodhte.”

Scroll to Top