Rekord Remitancash: Emigrantët Sjellin 817 Milionë Euro
Paratë që emigrantët dërgojnë për familjet e tyre në Shqipëri vazhdojnë të kenë një tendencë rritëse, duke pasqyruar një cikël të ri emigracioni. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë për bilancin e pagesave, të ardhurat nga emigrantët për periudhën janar-shtator 2025 arritën në 817 milionë euro. Kjo shifër shënon një rritje prej 5.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak.
Ritmet e rritjes u përshpejtuan në tremujorin e tretë të vitit, periudhë që tradicionalisht ka flukse më të larta hyrëse, për shkak të vizitave të emigrantëve gjatë pushimeve verore. Në periudhën korrik-shtator 2025, emigrantët dërguan tek të afërmit e tyre 285 milionë euro, çka përfaqëson një rritje prej 8.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Që nga viti 2013, paratë e dërguara nga emigrantët në Shqipëri kanë shënuar rritje të vazhdueshme, duke reflektuar një cikël të ri emigracioni që nisi kryesisht pas vitit 2015. Pas një rënieje të shkaktuar nga pandemia në vitin 2020, tendenca rritëse u përshpejtua ndjeshëm. Në nëntë muajt e parë të vitit 2024, për herë të parë u tejkalua kufiri prej 800 milionë eurosh. Me ritmet aktuale, viti 2024 pritet të mbyllet me nivele rekord, mbi 1 miliardë euro remitanca (në tremujorin e fundit të vitit 2024, prurjet ishin 273 milionë euro).
Emigrantët e rinj duket se nuk i harrojnë familjet e tyre në vendlindje dhe kujdesen për të afërmit që kanë lënë pas. Sipas të dhënave të Eurostat, vetëm në vitet 2022-2023 u lëshuan gjithsej 154 mijë leje qëndrimi për herë të parë. Që nga viti 2008, periudha kur Eurostat raporton këto të dhëna, rreth 920 mijë shtetas shqiptarë kanë marrë leje qëndrimi për herë të parë, duke përbërë një potencial të konsiderueshëm për dërgimin e parave drejt Shqipërisë.
Aktorët e tregut konfirmojnë se kanalet kryesore të dërgimit të parave mbeten vendet tradicionale të emigracionit, si Greqia dhe Italia. Megjithatë, vitet e fundit është vënë re një rritje e flukseve edhe nga destinacione të reja si Anglia dhe Gjermania.
Remitancat llogariten nga Banka e Shqipërisë si pjesë e llogarisë korrente në bilancin e pagesave, në përputhje me standardet e Fondit Monetar Ndërkombëtar (BPM6). Ato përfshijnë të gjitha prurjet monetare që emigrantët dërgojnë drejt familjeve dhe individëve rezidentë në Shqipëri, si përmes kanaleve formale (bankat, institucionet financiare dhe operatorët e transfertave), ashtu edhe përmes vlerësimeve të prurjeve informale. Për këtë qëllim, Banka përdor të dhënat nga sistemi bankar, raportimet periodike të subjekteve të licencuara dhe anketa specifike tek familjet përfituese, duke synuar të mbulojë të gjitha flukset reale të remitancave në ekonomi.
