Klodian Braho analizon punën e Arben Krajës dhe Altin Dumanit
Kandidati për drejtues të SPAK-ut, Klodian Braho, gjatë intervistimit nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, theksoi se pika e tij e fortë janë hetimet për korrupsionin. I pyetur nga anëtarja e KLP-së, Arta Mandro, se çfarë do të merrte nga ish-drejtuesit Altin Dumani dhe Arben Kraja, Braho u shpreh:
“Nga zoti Dumani do merrja pro-aktivitetin dhe vendosmërinë. Nga zoti Kraja do merrja qetësinë në kryerjen e detyrës”.
Arta Mandro e pyeti nëse ka një pikë të fortë dhe një pikë të dobët.
Klodian Braho u përgjigj: “Nuk mendoj se jam perfekt. Si pikë të fortë do përmend faktin që kam eksperiencë të gjatë në hetimet për korrupsion. Që në vitin 2012 jam marrë me vepra penale të lidhura me korrupsionin. Kam pasur qetësinë, qartësinë dhe maturinë e duhur në kryerjen e hetimeve. Këto i vlerësoj si elementë pozitive. Sa i përket pikës së dobët, prokuroria nuk ka qenë si sot. As ne nuk kemi qenë të përgatitur për këtë komunikim publik, për këtë vëmendje publike. Mendoj që kjo është një ndër pikat e mia të dobëta dhe do t’i kushtoja rëndësi në të ardhmen komunikimit me median. Ne si prokurorë nuk kemi qenë të mësuar apo të përgatitur për këtë. Gjithmonë del drejtuesi, ai që përfaqëson. Prokurorët nuk e kanë pasur gjithmonë këtë mundësi dhe këtu ka vend për përmirësim.”
Arta Mandro pyeti sërish se çfarë do të merrte nga drejtuesit e mëparshëm.
Klodian Braho përsëriti: “Nga zoti Dumani do merrja pro-aktivitetin dhe vendosmërinë. Edhe nga zoti Kraja do merrja qetësinë në kryerjen e detyrës.”
Pyetjes së Arta Mandros: “Çfarë nuk do merrnit prej tyre?” Klodian Braho iu përgjigj: “Të dy kanë ushtruar të njëjtën detyrë kur institucioni nuk ka qenë i njëjti. Në kohën e zotit Kraja, institucioni duhet të ishte më aktiv, edhe pse çështjet duan kohën e tyre. Në krahasim me zotin Dumani, duke vlerësuar punën e tij, do të merrja pro-aktivitetin, pasi e kam të vështirë të mos e dëshiroj. Nuk jam konformist, por po tregohem i sinqertë.”
