Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) do të zgjedhë sot drejtuesin e ri të Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Mandati i Altin Dumanit në krye të SPAK po i afrohet fundit. Sot, në orën 09:00, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të zhvillojë mbledhjen vendimtare për të zgjedhur drejtuesin e ri të kësaj strukture antikorrupsion.
Seanca do të jetë e hapur për mediat dhe do të ndiqet gjithashtu nga përfaqësues të institucioneve kyçe, siç janë Prokuroria e Përgjithshme dhe Ministria e Drejtësisë.
Për pozicionin e kreut të SPAK garojnë katër prokurorë: Adnand Xholi, Doloreza Musabelliu, Elvin Gogaj dhe Klodian Braho. Është hera e parë që një grua kandidon për drejtuese të SPAK.
Kandidatët do të paraqesin para anëtarëve të KLP platformat e tyre për drejtimin e SPAK, pas së cilës do të zhvillohet votimi për emrin që do të marrë drejtimin e kësaj prokurorie.
