Buxheti 2026 miratuar: rritje pensione, pagë minimale, investime

Buxheti i vitit 2026 miratohet në Kuvend

Kuvendi miratoi pas mesnate buxhetin për vitin 2026, me 81 vota pro dhe 16 kundër.

Plani financiar i vitit të ardhshëm parashikon të ardhura prej rreth 8.5 miliardë euro dhe shpenzime afërsisht 8.9 miliardë euro, që përbëjnë rreth 31.9% të PBB-së.

Krahasuar me buxhetin e rishikuar të vitit 2025, shpenzimet do të rriten me rreth 550 milionë euro. Deficiti pritet të mbetet në nivelin 2.3% të PBB-së, po aq sa pritet të jetë edhe këtë vit.

Një pjesë e rëndësishme e buxhetit i dedikohet politikave sociale. Për vitin 2026, parashikohet një rritje e ndjeshme e mbështetjes financiare në këtë drejtim:

  • 100 milionë euro për rritjen e pensioneve sipas skemës së re.
  • 135 milionë euro për rimbursimin e medikamenteve.

Qeveria ka parashikuar gjithashtu fondet e nevojshme për zbatimin e pagës minimale prej 50 mijë lekësh në muaj.

Për herë të parë, parashikohet edhe indeksimi i pagave në administratën publike me 2.5%, i cili do të hyjë në fuqi më 1 janar 2026.

Investimet publike për vitin e ardhshëm arrijnë në rreth 1.9 miliardë euro, ndërsa fondi i rindërtimit do të jetë 50 milionë euro.

Për 11 projektet koncesionare janë parashikuar 120 milionë euro, një shumë pak më e ulët se një vit më parë.

Edhe për vitin 2026, prioritetet kryesore mbeten shëndetësia dhe mbrojtja sociale, infrastruktura dhe energjia, arsimi dhe ushtria.

Në ndarjen sipas institucioneve, buxheti më i madh i jepet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, me rreth 853 milionë euro, të cilat mbulojnë pagat dhe investimet në këtë sektor.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë përfiton rreth 800 milionë euro, të fokusuar kryesisht në projekte rrugore dhe hekurudhore.

Ministria e Arsimit ka një buxhet prej 680 milionë euro, i cili mbështet pagat e mësuesve dhe investimet në shkolla.

Ministria e Mbrojtjes merr rreth 610 milionë euro, kryesisht për forcimin e kapaciteteve të ushtrisë dhe për të përmbushur angazhimet e Shqipërisë në kuadër të NATO-s.

Scroll to Top