Paradoksi: Ekonomia rritet, por punësimi tkurret me 20 mijë persona
Ekonomia e vendit u zgjerua me 3.5 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti. Megjithatë, të dhënat e fundit nga anketa e INSTAT tregojnë se në periudhën qershor-shtator, numri i të punësuarve në grupmoshën 15-64 vjeç ra me 19,561 persona, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Ndërkohë që punësimi ra, papunësia mbeti e pandryshuar në krahasim me një vit më parë. Kjo situatë sinjalizon se problemet kryesore nuk lidhen me rritjen e numrit të personave që kërkojnë punë, por me tkurrjen e vetë forcës së punës. Rënia e shpejtë e popullsisë po e bën të vështirë të përcaktohet se sa vende pune po krijohen realisht nga zhvillimi ekonomik.
Duke analizuar të dhënat sipas grupmoshave, vihet re se tkurrja më e fortë e numrit të të punësuarve është tek të rinjtë 15-29 vjeç, me mbi 11 mijë persona më pak të punësuar se një vit më parë. Ky grup moshë kontribuon më shumë në uljen e përgjithshme të punësimit dhe pasqyron vazhdimin me ritme të larta të emigracionit të të rinjve.
Edhe grupmosha 30-64 vjeç ka pësuar një rënie me mbi 8,500 persona. Kjo sugjeron se jo vetëm të rinjtë, por edhe punonjësit me eksperiencë po largohen nga tregu i punës, shpesh drejt emigracionit.
Përveç efektit demografik, punësimi po ndikohet edhe nga krizat që kanë përfshirë sektorët me intensitet të lartë pune, si industria dhe bujqësia. Shumë biznese, veçanërisht në sektorët që punësojnë numër të madh punonjësish, siç është prodhimi fason, po shkurtojnë punonjës për shkak të falimentimeve të shkaktuara nga rënia e kërkesës në tregjet ndërkombëtare dhe humbjet nga kursi i këmbimit valutor.
Nga ana tjetër, nënsektorët e ndërtimit, shërbimeve dhe aktiviteteve sezonalë kanë ulur ritmet e rekrutimeve për shkak të kostove në rritje dhe presionit mbi pagat.
Zhvillimet demografike mbeten problematike. Popullsia në moshë pune po zvogëlohet, numri i të rinjve që hyjnë në tregun e punës vazhdon të bjerë, ndërsa emigracioni mbetet i lartë. Në një treg pune me më pak ofertë punonjësish, ulja e punësimit reflekton tkurrjen e fuqisë punëtore.
Në tremujorin e tretë 2025, forca e punës në moshën 15-64 vjeç ishte 1,150,656 persona, ose 20,344 persona më pak se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një tkurrje prej -1.7%. Në vendet e zhvilluara, ulja e punësimit sjell automatikisht rritje të papunësisë. Por në Shqipëri, një pjesë e atyre që humbasin vendin e punës nuk regjistrohen si të papunë sepse janë të gatshëm të largohen jashtë vendit, ose zgjedhin të mos jenë aktivë në treg deri sa të gjejnë kushte më të favorshme.
