Pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë, reagon Noka: Dorëheqja ime i shërben Ramës
Pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë, Flamur Noka ka reaguar duke deklaruar se dorëheqja e tij i shërben kryeministrit Edi Rama.
Noka u shpreh se mbledhja kishte si qëllim diskutimin dhe vendosjen e transparencës para shqiptarëve. Ai shtoi se sulmi i ditëve të fundit dhe presioni ndaj Gjykatës Kushtetuese tregojnë se reforma në drejtësi ka vdekur, ndërsa Edi Rama është kthyer në një forcë legjislative dhe “narkotizuese”.
Ai bëri thirrje shqiptarëve që më 22 dhjetor në orën 17:00 të protestojnë në bulevard, duke theksuar se kjo nuk do të jetë vetëm një protestë, por fillimi i një sërë protestash të tjera. Noka nënvizoi se pa zgjedhje të lira, asgjë tjetër nuk ka kuptim, përfshirë edhe vetë demokracinë.
Në përgjigje të pyetjes së gazetarëve nëse i është kërkuar dorëheqja në mbledhje, Flamur Noka u shpreh: “Po flas këtu për agjendën e PD, ju po flisni për agjendën e qeverisë. Sot dorëheqja e vetme që kërkohet nga gjithkush është ajo e Edi Ramës. Asnjë tjetër nuk e qetëson shpirtin e shqiptarëve të vjedhur. Dorëheqja ime apo e dikujt tjetër qetëson vetëm Ramën dhe shërbëtorët e tij, kjo është mëse e qartë.”
Lidhur me firmat dhe avokatin e popullit, Noka kërkoi ndjesë. Kur u pyet nëse ndihet përgjegjës, ai u kërkoi gazetarëve durim, duke shtuar se ata kanë kërkuar ndjesë, ashtu si edhe shumë nga firmëtarët. Sipas tij, arsyeja e faljes ishte ngutja dhe momenti emocional i çështjes së Bashkisë.
Noka deklaroi se ka debatuar me çdo firmëtar, është shprehur kundër dhe ka qenë ndër të vetmit që ka kërkuar llogari.
